Humbja e fundit në kampionat ndaj Arsenal (0-1) ka ndërlikuar edhe më shumë planet e skuadrës së Manchester United. Ekipi është në vendin e tetë në renditjen e Premier League, jashtë zonës së Europës. Dëmtimet e shumta kanë penalizuar ekipin, fakt ky që përmendet nga trajneri Erik ten Hag.
“Luajtëm si të barabarte me ekipin që kryeson Premier, ndërkohë që kishim shtatë mungesa në formacionin bazë. Tifozët e kanë kuptuar këtë gjë. Nëse kemi kaq shumë lëndime, veçanërisht në pikat kyçe, është e ëvshtirë të marrësh atë që meriton”, u shpreh Ten Hag.
“Tifozët janë pas nesh, prandaj ata janë me ne. Ne jemi Manchester United. Ne kemi një detyrim ndaj tyre dhe shpresojmë që këtë mbështetje t’ua paguajmë në të ardhmen. Ky ekip ka gjithmonë një shpirt të mire dhe lufton. Ne kemi probleme dhe problemet na kushtojnë rezultate”, tha trajneri i “djajve të kuq”.
“Nëse një skuadër i ka të gjithë lojtarët në dispozicion normalisht që merr edhe më shumë pikë. Sidomos ato ndihen kur mungesat janë të gjitha në repartin mbrojtës, pasi pësojmë shumë gola. Çdo trajner gjithmonë përpiqet të bëjë më të mirën me atë ekip që ka në dispozicion”, tha Ten Hag.
Trajneri është i paqartë për të ardhmen, pasi zërat për një largim shtohen. “Unë kam dy vjet këtu dhe vetëm një herë i kam pasur të gjithë lojtarët e mi në dispozicion. Këtë vit kam luajtur me duart e lidhura pas shpine. Megjithatë, ne jemi në një finale kupe dhe do të përpieqmi ta fitojmë”, tha Ten Hag.