Nëse ndeshja mes Italisë dhe Spanjës tashmë është kthyer në një “klasike” mes kombëtareve në fjalë, është gjithashtu e vërtetë se kombëtarja iberike me të cilën do të përballen axurrët të enjten në mbrëmje është shumë ndryshe nga ato që kanë ndodhur në të kaluarën.
Siç mund të lexohet sot në “Corriere della Sera”, disfata 3-0 që “Furitë e Kuqe” i shkaktuan Kroacisë ka një fakt mjaft të veçantë: për herë të parë që nga viti 2008, Spanja e humbi duelin e posedimit të topit. Ky raport ishte 46% me 54% në favor të Modric dhe shokëve të tij.
Sot “La Roja” është një ekip më vertikal, agresiv, i shpejtë dhe cinik. Kjo kombëtare duket se e ka kthyer përfundimisht faqen nga ajo “tiki-taka” acaruese dhe irrituese, e cila në Botërorin e kaluar në Katar kishte çuar në eliminimin kundër Marokut pas 77% të zotërimit të topit dhe 1019 pasimeve të bëra.
Siç lexojmë në gazetë, strategjia shumë e rafinuar që çoi në sukseset e “Generación Dorada” midis viteve 2008 dhe 2012 ishte tashmë e vjetëruar, ndryshimi i saj u bë qëllim në vetvete. Dhe nëse i njëjti shpikës i atij lloji futbolli, Pep Guardiola, ishte në gjendje ta rinovonte lojën e tij, atëherë edhe De La Fuente ndërmori revolucionin, duke kërkuar mbi të gjitha vertikalizimet.