Portierit të ri të Union Berlin, Berkin Arslanogullari, i është dashur t’i amputohet (pritet) këmba ditët e fundit. Një operacion që ishte i nevojshëm për t’i shpëtuar jetën, në luftën e tij kundër kancerit të kockave. Lojtari 19-vjeçar i klubit të Bundesligës u diagnostikua me sëmundjen disa muaj më parë dhe që atëherë ka filluar “kimioterapinë intensive” për ta luftuar atë.
Trajtimi farmakologjik nuk mjaftoi dhe mjekëve nuk iu mbeti gjë tjetër veçse t’i prisnin këmbën e majtë mbi gju. Tani rruga e jetës është edhe më e përpjetë për të riun gjerman, me origjinë turke, të cilit i duhen nja 2 milionë euro për të ecur përpara në gjendjen e tij të re. Për këtë qëllim ka nisur një mbledhje fondesh, e cila tashmë ka tejkaluar shifrën e 120 mijë eurove.
Berkin braucht uns, Unioner ❤️🩹
Berkin Arslanogullari kämpft aktuell gegen Knochenkrebs – hier könnt ihr ihn und seine Familie unterstützen.#fcunion
— 1. FC Union Berlin (@fcunion) September 16, 2024
Vetë Union Berlin konfirmoi se operacioni është kryer “disa ditë më parë”, ndërsa lojtari është duke luftuar “betejën më të vështirë të jetës së tij”. Klubi kryeqytetas gjerman ka ftuar tifozët dhe këdo që kujdeset për djalin që të kontribuojë financiarisht në të ardhurat e familjes së tij, të cilat janë të pamjaftueshme për të mbështetur Berkinin në “maloren” e tij të jetës tashmë.
Deklarata nga mbledhja e fondeve e nisur në “GoFundMe” dhe e mbështetur nga Union Berlin thotë: “Portieri 19-vjeçar Berkin Arslanogullari, i cili me krenari ka veshur fanellën e FC Union Berlin që nga fëmijëria, aktualisht po bën betejën më të vështirë të jetës së tij.
Disa muaj më parë, Berkin mori diagnozën tronditëse të kancerit të kockave. Me gjithë përpjekjet dhe kimioterapinë intensive, kanceri nuk është mposhtur ende. Si masë shpëtimtare, Berkinit iu desh t’i amputohej këmba disa ditë më parë.
Që në fëmijëri, Berkin ëndërronte që një ditë të luante para tifozëve të Unionit në ‘Alte Forsterei’ (stadiumi i klubit), – vazhdon mesazhi me të cilin nisi mbledhja e fondeve. – Me angazhim të palodhur, ai bëri një karrierë në ekipin e të rinjve të Union dhe sezonin e kaluar u lejua të stërvitet me profesionistët për herë të parë.
Një moment kulmor i karrierës së tij të deritanishme, teksa luajti edhe një ndeshje miqësore me ekipin e parë profesionist, që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën sportive. Tani Berkin dhe familja e tij përballen me një sfidë të re të frikshme. Për shkak të kujdesit dhe mbështetjes së nevojshme për Berkin, prindërit e tij nuk mund të shkojnë më në punë dhe apartamenti aktual i familjes nuk është i aksesueshëm për karriget me rrota, për shkak të shkallëve dhe barrierave të shumta.
Për të filluar një jetë të re, nevojitet urgjentisht një apartament i ri, ose rinovime të mëdha atij ekzistues. Rehabilitimi i ardhshëm përfshin kosto të mëdha. Berkin dhe familja e tij tani kanë nevojë për mbështetjen dhe kohezionin e familjes së Union.
Një fushatë është nisur për të lehtësuar një pjesë të barrës financiare dhe për t’i dhënë Berkin shansin më të mirë të mundshëm për një të ardhme shpresëdhënëse. Çdo kontribut ka rëndësi dhe ndihmon për t’i dhënë Berkin rifillimin e jetës, që e meriton kaq shumë”.
Fansat u mblodhën rreth djalit, duke e bërë atë të ndjejë jo vetëm gjithë dashurinë e mundshme, por edhe duke i dhënë mbështetje konkrete për ta parë me besim të ardhmen.