Rikuperoi 16 pozicione por s’mjaftuan për titullin, Leclerc: Të zhgënjyer që nuk u shpallëm kampionë

9 Dhjetor 2024
9:40
Telesport
back button

Edhe pse bëri një rikuperim fantastik, duke e nisur garën e Abu Dhabi nga vendi i 19-të dhe në fund u rendit i treti, kjo nuk mjaftoi për Charles Leclerc dhe Ferrari. Makina italiane e mbylli botërorin e Formula 1 për konstruktorë në vendin e dytë, 14 pikë pas McLaren.

E dija se duhej të isha shumë agresiv dhe se duhej të rrezikoja që në start. Për fat të keq e nisa garën shumë larg kreut dhe nuk mund të bëja dot më shumë se kaq. Norris ishte i pakapshëm”, u shpreh piloti monegask.

Ne bëmë më të mirën. Të dhemb të humbasësh titullin pas një sezoni si ky. Është mëkat, por ne dhamë gjithçka. Nëse shikojmë pjesën e parë të sezonit ne nuk po luftonim fare, në pjesën e dytë skuadra bëri një punë të pabesueshme”, tha Leclerc.

Ne po e përfundojmë sezonin me një notë të lartë dhe shpresojmë të fillojmë sërish kështu vitin e ardhshëm”, u shpreh më tej Leclerc, që u shpall edhe piloti më i mirë i garës së fundit në Abu Dhabi.

Në lidhje me ardhjen e Hamilton vitin tjetër në skuadër, ai tha: “Do të jetë një motiv i madh për të garuar përkrah tij, por tani po mendoj më shumë për fundin e këtij viti. Ka një zhgënjim sepse unë dhe Carlos gjithmonë kemi shtyrë njëri-tjetrin dhe kemi dhënë gjithçka”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit