Portieri gjerman Stefan Ortega, ka rinovuar kontratën me Manchester City deri në vitin 2026 pas paraqitjeve të mira këtë sezon. 31-vjeçari, i cili deri më tani ka qenë zëvendësuesi i Ederson, synon të përmbysë hierarkitë nga sezoni i ardhshëm dhe të fitojë fanellën e titullarit.
Ortega luajti në total në 20 ndeshje këtë sezon dhe ishte vendimtar me pritjen që i brëi Son në minutat e fundit, në ndeshjen ndaj Tottenham. Portieri i dytë i “citizens” nuk mund të harrojë rrugëtimin që ka bërë që kur shkeli në Manchester: “Kanë kaluar dy vjet që kur nënshkroa me City”.
“Ajo që ka ndodhur në këto dy vite është e pabesueshme. Si person, unë jam krejtësisht ndryshe nga ai që isha dy vjet më parë. Dhe kjo do të thotë shumë për mua“, u shpreh Ortega në një interbistë për “L’Equipe”.
“City është një ekip i veçantë, sepse para se të bashkohesha me ekipin kisha pak frikë nga lojtarët dhe stafi. Por që në ditën e parë kur mbërrita isha i lumtur sepse të gjithë më kanë mirëpritur”, tha Ortega, që ka vetëm një qëllim në mendje.
“Dua të jem numri 1. Kjo është arsyeja pse unë nënshkrova për Manchester City. Përpiqem të ndihmoj ekipin të fitojë trofe, por edhe shijoj jetën, sepse ndonjëherë jeta është shumë e shkurtër për të mos e shijuar atë. Mendoj se ky është vendi më i mirë ku mund të jem si njeri dhe si futbollist”, tha Stefan Ortega.