Vítor Borba Ferreira Gomes, i njohur më shpesh si Rivaldo, kaloi përmes 15 ekipeve gjatë karrierës së tij profesionale si futbollist. Ai debutoi në Paulista në vitin 1989, por nuk vonoi të largohej për te Santa Cruz dhe më pas te Mogi Mirim, ku tërhoqi vëmendjen e një klubi të madh si Corinthians. Pas kësaj veshi fanellën e Palmeiras, pikërisht para se të kalonte në Europë. Në Kontinentin e Vjetër, braziliani mbrojti ngjyrat e Deportivo de La Coruña, Barcelona dhe Milan, para se të shkonte në Turqi, Uzbekistan, Greqi e Angola.
Te Barcelona qëndroi për më shumë kohë, konkrektisht në periudhën 1997-2002. Atje fitoi La Liga-n dy herë, një Kupë Mbreti dhe një Superkupë të Europës, përveç “Topit të Artë” në nivel individual. Ajo blaugrana ishte një nga periudhat më të ndritura të tij; me 130 gola në 157 ndeshje.
Pavarësisht përplasjes me Van Gaal, braziliani ruan kujtime të mira nga periudha e tij te Barcelona, ku, deri më sot, qëndron si i teti golashënues më i madh në historinë e klubit: “Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme, kalova shumë momente të mrekullueshme brenda klubit. Kam fituar tituj, më zgjodhën më të mirin në botë duke luajtur me Barcelonën. Pra, ishin pesë vite të mrekullueshme të kaluara atje. Që në fillim fitova titullin kampion spanjoll, shumë i rëndësishëm për karrierën time”.
Pavarësisht se ambasadori i Betfair e njeh punën e mirë të trajnerit të lindur në Amsterdam, nuk e mohon se kulmi i tij te Barça mund të kishte qenë shumë më i lartë: “Van Gaal është një trajner i shkëlqyer. Çdo herë që jap një intervistë, flas mirë për të, sepse është një trajner i madh, por atij nuk i pëlqente lojtari më i dalluar, që bënte diçka ekstra individuale. Ai është trajner shumë kolektiv. Natyrisht, edhe unë gjithashtu isha shumë kolektiv, por kishte momente kur mund të bëja shumë më tepër. Ai më kufizonte, më hiqte të gjitha liritë.
Ndodhi disa herë gjatë stërvitjeve, në disa ndeshje, që pati debate mes meje dhe Van Gaal. Megjithatë, gjithmonë kam thënë se ai ishte një trajner i madh”.
Rivaldo kishte bindjen se duke luajtur si mesfushor i avancuar ishte mënyra më e mirë për të kontribuar në ekip. Por Van Gaal nuk e shihte ashtu: “Ai donte që të luaja në krahun e majtë. Luajta dy vite si sulmues i majtë, por erdhi një moment kur i thashë: Jo, duhet të bëj diçka më shumë. Po bëja gjëra të mira në krahun e majtë, sepse isha në kulmin e moshës, mund të luaja në çdo pozicion dhe do të më shkonte mirë. Kisha shumë besim, e dija që mund të shfaqja më shumë, doja të isha një ’10’, të luaja në qendër të fushës, për pasimet që jepja, për asistet.
Van Gaal më thoshte se jepja shumë asiste nga krahu i majtë. Pastaj, një ditë vendosa të ndryshoja pozitat. Ishte një ditë që fituam ndaj Atletico Madridit 2-1. Gjatë pjesës së parë, ishim 1-1. Në pushim, ai foli mirë për mënyrën se si po luante ekipi. Pas 10-15 minutash më zëvendësoi dhe vendosi një tjetër lojtar, Zenden, i cili luajti mirë. Sigurisht, u mërzita shumë në atë moment”.
Për këtë arsye, fituesi i “Topit të Artë” më 1999 vendosi të përballej ballë për ballë me trajnerin holandez: “Aty vendosa të flisja, ditën tjetër i thashë se nuk dua të luaj më si sulmues i majtë. Mund të qëndroj në pankinë, ndryshe dua të luaj si ’10’. Pas ndeshjes shkova në shtëpi dhe, duke mbërritur, mendoja: Të nesërmen do të flas me të”.
Rivaldo gjeti një aleat te Mourinho. Trajneri portugez ishte pjesë e stafit të Van Gaal: “Bisedova me Mourinho, i cili përkthente, teksa po shikonim ndeshjen për analizë. I thashë atij: Dua të flas me trajnerin, pasi të mbarojë me grupin. Kështu, pasi mbaroi të fliste për ndeshjen, i thashë: Që nga sot, luaj vetëm në qendër të fushës. Nëse jo si mesfushor i avancuar, atëherë nuk luaj fare, më mirë qëndroj në pankinë. Nuk ka problem, do të garoj për pozitën e mesfushorit të avancuar.
Van Gaal u mërzit, por nuk tha asgjë. Thjesht tha: “Shkojmë në stërvitje”. Tri ditë pas asaj bisede, Van Gaal e la Rivaldon jashtë listës së lojtarëve për ndeshje. Fillimisht e la në pankinë; më pas luajti në Kupë me një ekip plot me zëvendësues dhe lojtarë të rinj: “Më mori në një ndeshje ku kishte pushuar Figo, Guardiola, Luis Enrique…, aktivizoi disa lojtarë nga akademia. Ishte një ndeshje Kupe, mendoj kundër një ekipi të kategorisë së tretë. Mbaj mend që më thirri Mourinho dhe më tha: Ti do të luash si ’10”. Van Gaal aktivizoi një ekip shumë, shumë të zakonshëm, iu dha pushim të gjithë titullarëve. Si duket mua vendosi të më aktivizonte ku i kisha kërkuar, i bindur se do të dukesha keq mes të rinjve dhe rezervave”.
Trajneri holandez e vendosi Rivaldon si mesfushor të avancuar, por i pëlqeu shumë performanca e tij, sepse nga ky moment, ky pozicion filloi të bëhej i vetmi për brazilianin: “I thashë vetes, qetësohu. Ai do të bëjë provën për të parë nëse luaj dot si ’10’, kështu që hyra në fushë, luajta atë ndeshje. Ishte larg, një udhëtim i gjatë, shkova dhe luajta mirë, pastaj filloi të më aktivizonte vetëm si ’10’. Van Gaal u largua nga klubi, erdhi një trajner tjetër që më vendosi si ’10’. Ishte Lorenzo Serra Ferrer. Pas tij, Carles Rexach e mori drejtimin e pankinës deri në verën e 2002, kur Van Gaal u rikthye sërish në ‘Camp Nou’ dhe unë shkova te Milani”.