Rivaldo, që fitoi “Topin e Artë” më 1999, ishte figurë kryesore për Barcelonën në 100-vjetorin e saj. Tani, 25 vite më vonë, ai ka dhënë një intervistë të gjatë për “AS” nga Orlando, duke analizuar kohën e tij si lojtar i Barcelonës dhe shpresuar të kthehet në “Camp Nou” për 125 vjetorin e klubit.
Çfarë kujtimesh keni nga Barcelona?
Kujtime mjaft të mira. Kalova 5 sezone shumë të mira atje, pasi mbërrita nga La Coruña.
Kishte njëfarë rrëmuje atëherë…
Unë pata fatin të nënshkruaja për Barcelonën dhe dy vite më vonë të shpallesha lojtari më i mirë në botë.
A ishe i lumtur në Barcelonë?
Shumë. Më kujtohet dashuria nga fansat; qyteti, i cili është fantastik. Unë kam një lidhje të veçantë me të gjithë Barcelonën.
A nuk mendoni se u nënvlerësuat për të qenë ylli që ishit?
Thjesht më ka munguar Liga e Kampionëve. Nëse fiton Champions League, do të hysh në histori dhe kjo është ajo që më ka munguar. Mendoj se kam bërë një punë të mirë, kam luajtu më shumë se 200 ndeshje te Barcelona dhe shënuar më shumë se 130 gola.
Ishit ju, që e tërhiqnit para “bandën” e Van Gaalit…
Kishte lojtarë shumë të mirë, nuk do të flas keq për ta. Kishte një sistem tjetër loje, më pas me Guardiolën gjithçka ndryshoi.
Nëse ka një “El Clasico” që përcakton Rivaldon, duhet të jetë ajo e vitit 2001. A e mbani mend?
Ishte shumë e vështirë, nuk ishim mirë në atë kohë. Kujtesa është e mirë, kam shënuar tre gola…, ndërsa kundërshtari vetëm dy.
A e keni kuptuar tashmë?
Ende nuk e kuptoj, por ka kaluar shumë kohë.
Atë ditë u larguat nga “Bernabeu” duke thënë se “ka interesa që Real Madridi ta fitojë La Liga-n. A e ruani këtë bindje?
Jo, ishte një moment pas ndeshjes, në gjaknxehtësi e sipër. Ka gjëra që nuk duhet t’i kisha thënë. Megjithatë, në futboll thuhen edhe gjëra për të cilat të vjen keq më pas.
Në ato lojëra keni pasur një marrëdhënie shumë “intime”, madje edhe fizike me Fernando Hierro?
(qesh) Kundërshtar shumë i vështirë. Ai është një person i madh. Pastaj u takuam jashtë fushës, e dua shumë atë. Sidoqoftë, në fushë bënim gjithçka për ta mposhtur njëri-tjetrin.
Atë ditë, kur shënuat golin e dytë, festuat sikur po fishkëllenit. A provokoi diçka ai gjest?
Jo, e bëra thjesht për t’i ndezur pak fansat. Ishte një lojë e vështirë, tifozët më fishkëllenin gjithmonë dhe më pas, kur shënova, iu thashë që të fishkëllenin edhe pak. Ka të bëjë me futbollin. Dikush është shumë i nxehtë në festime. Pastaj pendoheni, por ishte një moment unik.
Ju ishit duet me Figon. A e imagjinonit që një ditë Figo të luante për Real Madridin?
Kurrë! Luis ishte shumë i lumtur në Barcelonë. Ai ishte një lojtar diferencial, që Real Madridi e priste me padurim. Mendova se gjithmonë do të luante në Barcelonë.
A e kuptuat vendimin e tij?
Është e vështirë, ende nuk e di se çfarë ka ndodhur. Secili tregon diçka. Ndoshta ishte për diçka financiare dhe Florentino i dha shumë para, ndaj nënshkroi me Real Madridin.
Të zemëroheshe me Van Gaalin nuk duhej të ketë qenë e lehtë…
Po, ishte e vështirë. Ai ishte një trajner i madh, por në futboll është normale që të zemëroheni.
Le të flasim për Barçën aktuale, na thoni diçka për Raphinha…
Ka pasur start të shkëlqyer të sezonit, duke shënuar për klubin dhe kombëtaren. Edhe sezonin e kaluar luajti mirë, ka gjithçka për t’u bërë sulmues shumë i madh.
Po Lamine Yamal?
Lojtar i madh. Është vetëm 17 vjeç, por i ka mhanitur të gjithë, duke vendosur rekorde të paimagjinueshme. Ai ka gjithçka përpara për t’u bërë më i miri në botë. Nëse vazhdon kështu, me siguri pas dy vitesh do të jetë më i miri në botë. Më befason personaliteti i tij, gëzimi i tij, e shijon me buzëqeshje çdo ndeshje. Kjo më tërheq më shumë vëmendjen.
Po ti, ku ishe në moshën 17-vjeçare?
Unë isha në akademi, nuk konsiderohesha ende profesionist. Nisa të bija në sy kur isha 19 ose 20 vjeç.
A mendoni se Lamine Yamal trajtohet ashpër nga kundërshtarët?
Në kohën time nuk kishte VAR, gjithçka varej nga arbitri. Tani shumë sy po e shikojnë ndeshjen. E godasin Yamal, sepse ka shumë cilësi.
Le të shkojmë te Real Madrid. Vinicius gjithashtu merr shumë ndërhyrje të parregullta…
Ai është shumë i mirë, me siguri do ta fitojë “Topin e Artë”. Meritat janë aty, por Vinicius duhet të jetë më i qetë. Nuk duhet të luftosh me arbitrin, as të flasësh kaq shumë.
A mendoni se e bën këtë për ta motivuar më shumë veten?
Mundet, edhe unë bëra të njëjtën gjë. Sa më shumë goditje, aq më shumë dëshirë për të luajtur mirë. Mendoj se edhe ai bën të njëjtën gjë.
Po Rodrygo?
Ka shumë cilësi. Më pëlqen dhe është diferencial.