Rivera, i ashpër me drejtuesit e Milanit: Amerikanët nuk dinë ende shumë nga futbolli…

21 Qershor 2025
7:55
Alfred Lleshi
back button

“Mos më flisni për Milanin amerikan”. Gianni Rivera nuk i kursen kritikat kur komenton aktualitetin e Milanit për “Libero”: “Amerikanët ende nuk dinë shumë nga futbolli. Madje e larguan edhe Paolo Maldinin. Pse nuk më kanë marrë kurrë në konsideratë mua? Ndoshta kam qenë i bezdisshëm, sepse nuk i kam mbajtur kurrë për vete fjalët që m’i thoshte mendja”.

Gjithmonë ju kanë bezdisur drejtuesit e Federatës (FIGC)?
Duke qenë se nuk jam ‘i komandueshëm’, më kanë mbajtur gjithmonë mënjanë. Kam pasur role në federatë vetëm kur president ishte Abete. Gravina? E vetmja herë që tentova ta kontaktoja për të parë nëse mund të isha i dobishëm për kombëtaren, as që më është përgjigjur.

Ju debutuat 15-vjeç me Alessandria, ndërsa Camarda te Milani po “myket” në pankinë…
Sot do të ishte e pamundur të hidhje në fushë një 15-vjeçar, të paktën këtu në Itali. Nuk shihen më Rivera, Totti apo Del Piero, sepse nuk luajnë. Ekzistojnë, por komandën e kanë menaxherët, që mendojnë vetëm për interesin e tyre. Madje ndonjëherë bëjnë edhe keq për futbollin.

A e ndjeni ende veten pjesë të këtij futbolli?
Aspak. Sot komandojnë vetëm paratë dhe lojtarët detyrohen të bëjnë këto ture të çmendura, por problemi është se as vetë nuk rebelohen. Në kohën time, bashkë me Mazzola, Bulgarelli dhe disa kolegë të tjerë, krijuam sindikatën pikërisht për të mbrojtur lojtarët dhe për t’u siguruar atyre të drejta që më parë nuk i kishin.

Rasti “Acerbi”, a ju ka shkuar ndonjëherë mendja të mos i përgjigjeshit një thirrjeje nga kombëtarja?
Kurrë. Paraqitesha gjithmonë, edhe kur më linin jashtë për zgjedhje, le të themi, të diskutueshme. Në ndërrimin e famshëm me Mazzolën në Botërorin e Meksikës pati ndikime të çuditshme.

Çfarë i uron Italisë së Gattusos?
Vitin tjetër është Botërori dhe ndeshja hapëse luhet pikërisht në ‘Azteca’ të Meksikos. Nuk shtoj asgjë më tepër, nga divani i shtëpisë mund t’i uroj vetëm fat të madh kombëtares.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit