Ylli i Manchester Cityt, Rodri ka zbuluar një mësim kyç që ka martë nën drejtimin e Diego Simeone, i cili ka qenë jetik për karrierën e tij.
Të dy punuan së bashku tek Atletico Madrid për një sezon përpara se Rodri të transferohej te Manchester City për të luajtur nën drejtimin e Pep Guardiola-s.
Rodri, i cili pati një periudhë të shkurtër në akademinë e Atletico Madridit, filloi karrierën e tij si profesionist te Villarreal përpara se të kthehej në klubin e qytetit të tij në vitin 2018, për një tarifë fillestare prej 20 milionë euro.
Simeone kishte besim të madh te spanjolli në qendër të mesfushës, me Rodri që bëri 47 paraqitje në sezonin e tij të vetëm në klub.
Që atëherë, Rodri është bërë një nga lojtarët më të mirë në botë, por ia jep meritat Simeone-s për përmirësimin e tij në fazën mbrojtëse.
“Kur u ktheva tek Atletico për një sezon, mësova se çfarë do të thotë konkurrencë. Kur isha te Villarreal, isha shumë mirë me topin në këmbë, por isha ende pak i butë.
“Nën drejtimin e Diego Simeone, mësova se çfarë do të thotë të jesh i keq. Të jesh pak bastard në fushë. Të përballesh me të vërtetë. Të bësh skuadrën tjetër të vuajë për 90 minuta. Kjo ishte një pjesë tjetër e rëndësishme e karrierës sime”, tha Rodri për Players Tribune.
Pas lëvizjes së tij te Manchester City, Rodri fillimisht u përpoq të përshtatej në Premier League, por është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Në pesë sezonet e tij në klub, ai ka bërë gjithsej 257 paraqitje, duke fituar katër herë Premier League, si dhe një herë Champions League dhe FA Cup.
Rodri ka qenë gjithashtu një figurë kyçe në triumfin e fundit të Spanjës. Ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi Euro 2024, ndërsa u shpall lojtari më i mirë i turneut.