Rodri pyetet për “Topin e Artë”: Një ëndërr, edhe pse favorizohen sulmuesit

18 Shtator 2024
11:00
Alfred Lleshi
back button

Rodri ishte lojtari i zgjedhur nga Manchester City për të dalë në krah të Pep Guardiolës në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes së Champions League kundër Interit.

Jeni nominuar për “Topin e Artë” dhe konsideroheni ndër fituesit e mundshëm, pavarësisht se nuk jeni sulmues. Çfarë ndjen?
Jam shumë i lumtur për gjithçka që më ka ndodhur vitin e fundit. Fitimi i Kampionatit Europian me vendin tim është tashmë një ëndërr e realizuar. Gjithçka është pasojë e vazhdimësisë në punë, e dëshirës për të mos u dorëzuar kurrë. Ndjej se njerëzit po e vlerësojnë punën time. E di që nuk luaj në një pozicion të zakonshëm për një çmim si ky, por kjo na kujton se futbolli mund të jetë i mrekullueshëm, pavarësisht nga sulmuesit.

Është folur shumë se sa ndeshje do të luhen këtë sezon, cili është një numër i drejtë sipas jush?
Nuk mund të them një numër të saktë, sigurisht jo 70 ndeshje. Besoj se një lojtar mund të japë maksimumin nga 40 deri në 50 ndeshje, pas të cilave niveli mesatar i performancës bie. Për mendimin tim, numri i ndeshjeve që do të luajmë këtë sezon është shumë i lartë. Jo gjithçka duhet të varet nga paratë apo marketingu, unë luaj më mirë kur pushoj. Mendoj se njerëzit duan të shohin futboll më cilësor.

A ka rënie të cilësisë së futbollit nga ky këndvështrim?
Unë mendoj se mund ta shohim këtë tashmë, në fillim të sezonit, jam dakord. Ne duhet të kuptojmë se cilat janë objektivat. Personalisht do të luaja më pak, por më mirë.

Guardiola tha se e pa finalen e Stambollit vetëm dje, po ti?
Të gjithë ndeshjen e kam parë një ose dy herë, ndoshta. Klipe të vogla, mendoj se i kam parë me mijëra herë. Dje e pamë ndeshjen përsëri, e analizuam, sepse nuk ka ndryshuar shumë që nga Stambolli. Ishte një moment i bukur, por futbolli dhe jeta ikën. Le të ecim përpara dhe ta fillojmë këtë kompeticion të ri në mënyrën më të mirë të mundshme.

Si e shihni të ardhmen tuaj të afërt?
Nuk kam shumë për të thënë, jam i fokusuar te Manchester City. Më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit