Roma “bën pazar” me Kumbullën, propozon shkëmbimin me mesfushorin serb. Shqiptari jep mesazhin e koduar nga… Japonia

30 Nëntor 2022
10:53
Alfred Lleshi
back button

Roma ka nevojë për një mesfushor shtesë, bindje që përforcohet teksa merkatoja e janarit po afrohet çdo ditë e më shumë. Klubi kryeqytetas po shqyrton opsione të ndryshme, duke përfshirë mesfushorin e Torinos, Sasa Lukic, i cili tani po përfaqëson kombëtaren e tij, Serbinë, në Kupën e Botës në Katar.

Sipas “La Stampa”, Roma është e interesuar për Lukiç dhe përfaqësuesi serb do ta pëlqente idenë për t’u transferuar në kryeqytetin Italian, pasi ka pasur mosmarrëveshje me drejtuesit e “granatave”.

Gazeta në fjalë raporton se verdhekuqtë, me trajner Jose Mourinho, do të ishin të gatshëm ta përfshinin Lukiç në një shkëmbim për Marash Kumbulla. Mbrojtësi shqiptar i Romës ka luajtur minuta shumë të kufizuara këtë sezon dhe ka qenë objektiv i Torinos që në fillim të verës.

Kujtojmë se atje do të gjente ish-trajnerin e tij te Verona, që i besoi dhe e lançoi në Serie A, kroati Ivan Juric. Ky i fundit ia di mirë vlerat mbrojtësit tonë kuqezi, ndaj po i lëviz të gjithë gurët për ta pasur sërish “në armë”. Edhe vetë Kumbullës do t’i shkonte përshtat kjo lëvizje, sepse do ta kishte aktivizimin të sigurtë, ndërsa te Roma ka fare pak “frymëmarrje”.

Ndërkohë, mbrojtësi shqiptar ka publikuar një postim në profilin e tij në Instagram në fund të turit në Japoni, ku Roma ka luajtur dy miqësore kundër Nagoya Grampus dhe Yokohama Marinos. Ky është mesazhi i mbrojtësit kuqezi, që e shoqëron me foto dhe video në ditët e kaluara në vendin aizatik:

“Nuk ishte vetëm futbolli, ishte zbulimi i një kulture të re dhe të bukur. Tani po kthehemi në shtëpi për një pushim të vogël, për t’u rikthyer në punë në mënyrën më të mirë”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Marash Kumbulla (@maxkumbulla)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit