Roma-Milan në “skanerin” e Piolit: Sfidë direkte për zonën “Champions”, Mourinho është një trajner i madh

28 Prill 2023
15:16
Alfred Lleshi
back button

“Duhet t’iu japim vazhdimësi paraqitjeve tona, duke u siguruar që ndeshja e radhës të jetë më e rëndësishmja. Dhe kështu është. Ndeshja kundër Romës vlen dyfish, duhet ta përballojmë me shpirtin dhe bindjet e duhura”. Kështu nisi konferenca për shtyp e Stefano Piolit, e mbajtur në prag të ndeshjes Roma-Milan.

Për kuqezinjtë është një sfidë shumë e rëndësishme për renditjen: “Vlen shumë. Pas transfertës së nesërme do të na mbeten edhe 6 ndeshje, 3 prej të cilave janë sfida me rivalë direktë. Sa më shumë pikë të grumbullojmë, aq më shumë shanse kemi për të hyrë në 4 vendet e para të Serie A, që është synimi ynë i madh”.

Pioli konfirmoi praninë e Giroud për ndeshjen kundër verdhekuqve: “Ai është mirë, kishte nevojë për pushim dhe tani është gati të luajë”. Më pas kujtoi ndeshjen e fazës së parë kundër Romës, me përmbysjen e skuadrës së Mourinhos në finish për rezultatin përfundimtar 2-2:

“Ne e rishikuam atë ndeshje, duhet të jemi të kujdesshëm. Roma është e fortë sidomos në topat e vdekur. 40% e golave ​​të saj vijnë prej andej. Për 7 ndeshje në shtëpi në vitin 2023, Roma nuk ka pësuar gol. Po kështu, ka lojtarë përpara që mund të shënojnë në çdo moment. Ne do të duhet të përpiqemi ta mbajmë kontrollin e ndeshjes”.

Më pas foli për situatën e Milanit: “Kam ndjenjën se skuadra po shkon mirë dhe se lojtarët duan të kenë një fund të mirë të sezonit. Ne duam të jemi protagonistë dhe kemi cilësitë për të qenë të tillë. Leao? Ai është një lojtar referues për Milanin. Pastaj në të gjitha sezonet ka ulje dhe ngritje, kjo ndodh edhe me atë.

Tani është mirë fizikisht dhe mentalisht. Paraqitjet pozitive të japin besim, entuziazëm dhe vullnet për të treguar se kush je. Presim shumë nga ai. Ibrahimovic? Ndihet pak më mirë, por nuk kemi një diagnozë përfundimtare, të shohim në ditët në vijim. Pobega është jashtë dhe Florenzi gjithashtu me temperaturë”.

Trajneri kuqezi ka vetëm respekt për kundërshtarin e nesërm: “Mourinho është një trajner i madh, i cili ka krijuar një mentalitet dhe intensitet të lojës në nivele të larta. Ambienti i tij është gjithashtu i rëndësishëm nga pikëpamja e publikut. Të gjithë sillen për atë që janë dhe për atë që besojnë.

Ne mendojmë se çfarë dimë të bëjmë vetë. Roma është një ekip që ka një fazë mbrojtëse solide dhe kompakte. Në fazën sulmuese ka lojtarë cilësorë. Duhet vullnet për ta çarë një mbrojtje kaq të fortë dhe për të kontrolluar lojën”.

Një analizë e sezonit të deritanishëm: “Nuk kemi asnjë keqardhje, ka momente kur gjërat kanë funksionuar më pak, por gjithçka që kemi bërë na ka ndihmuar të jemi këtu ku jemi për momentin. Ndeshjet janë shumë impenjative, sidomos mendërisht. Por tani jemi mësuar të luajmë kaq shumë dhe në një nivel kaq të lartë.

Unë kam profesionistë që dinë të rikuperojnë energjinë, kështu që shpresoj se do ta kemi këtë kurë. Ekipi është mirë dhe punon mirë. Po punojmë drejt objektivit në Serie A dhe përmbushjes së një ëndrre në Champions League”.

Më pas, trajneri kuqezi foli për marrëdhënien me Leao: “Lojtarët e mi janë të gjithë fëmijët e mi, nga mëngjesi në mbrëmje. Edhe kur jam në shtëpi i mendoj. Flas çdo ditë me ta, si për futbollin ashtu edhe për situata të tjera. Ata janë me fat, por kanë probleme të djemve 20-vjeçarë. Unë kam një lidhje të fortë me Rafa, sepse ai është lojtari që ka qenë më shumë në zyrën time vitet e fundit”.

Më shumë për Champions: “Është e vështirë t’i parashikosh ndeshjet dhe e kotë të mendosh për renditjen përfundimtare. Kjo ndeshje është e rëndësishme sepse është me rival direkt, kualifikimi në Champions League do të mbetet hapur deri në ditën e fundit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit