Në “Maracanã” ishte mbrëmja e lamtumirës nga futbolli për Adrianon. Perandori, në fakt, i kishte “varur këpucët në gozhdë” prej 8 vitesh, por më në fund vendosi t’i dhuronte vetes një mbrëmje për t’u ndarë me shumë ish-shokë skuadre mes Brazilit dhe Italisë.
Në paradën e yjeve ishte i pranishëm edhe Romario, i cili, duke folur për gazetarët, para ndeshjes simbolike, tha: “Adriano është padyshim në nivelin tim dhe atë të Ronaldos. Ka bërë histori te Flamengo dhe tek Interi. Jam ftuar për betejën e fundit të ‘Perandorit’, do të jetë e mrekullueshme. E duam, ka një zemër të madhe, gjithmonë tregon se është njeri i mirë.
Transferimi im te Flamengo ishte ndryshe. Isha lojtari më i mirë në botë, kampion bote, në kulmin e karrierës sime. Do të kalojë shumë kohë para se ta shohim diçka të tillë përsëri. Nuk pendohem për asgjë. Kam hequr dorë nga më shumë para për të qenë më i lumtur”.