Romelu Lukaku dhe Juventusi; dy linja paralele të bashkuara vetëm nga kaosi dhe polemikat

21 Shtator 2024
18:05
Alfred Lleshi
back button

Romelu Lukaku dhe Juventusi kanë të njëjtën veçanti, si dy linja paralele: nuk takohen kurrë. Me përjashtim të rasteve kur “takimi” bëhet konfrontim, sigurisht. Do të ndodhte pasditen e vonë të kësaj të shtune, në ndeshjen e parë të madhe të titullit në Serie A.

Nga njëra anë Juventusi, i cili pas nja dy gjysmëndalesash në kampionat ngriti kokën sërish falë fitores europiane 3-1 ndaj PSV. Nga ana tjetër Napoli, i cili prej pak më shumë se 20 ditësh drejtohet në sulm nga Lukaku, me fanellën e tretë italiane, pas atyre të Interit dhe Romës.

Ndër fanellat në fjalë, në fakt nuk është ajo e Juventusit. Edhe nëse dy linjat e destinuara të mos kryqëzohen kurrë, kanë tentuar vazhdimisht që rrugët e tyre përkatëse të përkojnë. Pra, po, një pjesë e bukur e historisë moderne do të kishte marrë një kthesë krejtësisht të ndryshme. Në Torino, në Milano, ndoshta edhe në Napoli.

DËSHTIMI I SHKËMBIMIT ME DYBALA
Vera e pikës së parë të kthesës është 2019-ta. Juventusi dhe Manchester United po negocionin një shkëmbim mes yjeve: Paulo Dybala në Premier League, Lukaku në Torino. Ato ishin javët në të cilat “Joya” mund të largohej për herë të parë nga Torino. Do të provonte edhe Tottenham, por ndërkohë ishte Manchester United ai që “shkeli i pari në gaz”.

Gjithçka dukej se po shkonte mirë, derisa të dyja klubet kuptuan mungesën e vullnetit të Dybala për t’u transferuar në Angli. Gjithçka tjetër veçse ishte e kotë. Paulo thotë “jo”, nuk do të shkonte në Manchester, sepse dëshironte të qëndronte dhe t’i luante shanset e tij në Torino, me Maurizio Sarri trajner. Për pasojë shkëmbimi me Lukakun nuk bëhej dot. Belgu mbeti larg Juventusin, edhe pse kishte arritur tashmë një marrëveshje me bardhezinjtë.

Kësisoji, “BigRom” mori drejtimin e Interit, i cili me kërkesën eksplicite të Antonio Contes “theu bankën” dhe e largoi Lukakun nga “burgu i artë” i Manchester United, në të cilin belgu kishte përfunduar i trishtuar. 65 milionë euro, plus 10 të tjera bonuse mjaftuan që “Djajtë e Kuq” të thonë “po”. Lukaku dhe Juventusi do të ishin tashmë kundërshtarë, jo aleatë. Për herë të parë.

“KURRË TE JUVENTUSI”
Në janar 2022, Lukaku ishte lojtar i Chelsea. Dhe ishte përsëri e trishtuar. Ai donte me çdo kusht të largohej nga Interi për t’u kthyer në Londër, ku kishte dështuar, por ruante një dëshirë të çmendur për ta kompensuar veten. Mallkuar nostalgji… Belgu i ktheu shpinën Milanos, Italisë, kohëve të mira me Antonio Conten, me të cilin shënoi vazhdimisht dhe fitoi një titull.

Marco Barzaghi i “Sky” e interviston dhe rezultati është një produkt i papërshkueshëm bombastik. Lukaku rrëfen hapur dëshirën e tij për Interin, duke nisur kësisoji procesin e rikthimit zikaltër, që në fakt do të konkretizohej në verë. Dhe kur korrespondenti tentoi ta ngacmonte me “po sikur të të thërriste Juventusi apo Milani?”, ia preu shkurt: “Kurrë, kurrë, kurrë”. E përsëriti këtë fjalë disa herë.

Rezultati? Të gjithë e marrin për keq. Chelsea dhe tifozët e vet, sigurisht. Më pas njerëzit e Juventusit, që nga ai moment filluan ta konsiderojnë Lukakun një armik sportiv, jo më një rival të thjeshtë. Pa harruar se marrëdhënia me Interin, dikur idilike, tashmë ishte shkëputur në momentin e ndarjes. Fatkeqësi komunikimi.

PËRBALLJA NË KUPËN E ITALISË
Një tjetër raund, një tjetër moment kryesor i një marrëdhënieje shumë të munduar, në distancë. Prill 2023, ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Italisë. Juventusi kryesonte 1-0 ndaj Interit në fund të një ndeshjeje që, të themi të drejtën, nuk ofroi shumë debate. Derisa zikaltrit, në kohën shtesë do të fitonin një penallti të papritur. Lukaku e fitoi, Lukaku e shndërroi në gol. Dhe Lukaku vendosi ta ndryshonte rrjedhën e asaj nate.

Ngazëllimi i tij, me dorën në ballë dhe gishtin tregues në buzë, tashmë është parë. Problemi është se Lukaku e vuri në skenë këtë gjest përballë ultrasve bardhezinj. Reaguan ashpër lojtarët e Juves, edhe tifozët e tyre më të zjarrtë. Pasoi një zhurmë e papërshkrueshme, duke përfshirë lojtarë të përjashtuar, deklarata helmuese dhe akuza për racizëm, me Lukakun që fillimisht u skualifikua dhe më pas u fal nga FIGC.

KAOSI I VERËS 2023
Por dy linjat që nuk duhet të takohen kurrë, të çuditshme por të vërteta, janë përpjekur ta bëjnë këtë edhe një herë. Vera e vitit 2023 rrezikoi të ofronte një nga transferimet më të papritura të viteve të fundit: Lukaku te Juventusi. Armiku i madh sportiv pati mundësinë të shkonte në vendin, qytetin dhe ekipin ku “kurrë, kurrë, kurrë” nuk do të kishte luajtur.

Fatkeqësia bëhet e plotë: Lukaku bëhet armik sportiv edhe për Interin, i cili pasi tenton ta sjellë për herë të tretë në Milano, e sheh veten të dorëzuar aty për aty dhe pa shpjegime. Sa i përket Juventusit, reagimi i tifozëve ndaj lajmit për shkëmbimin e mundshëm me Dusan Vlahovic do të kthehej në revoltë në rrjetet sociale. Mundimi zgjati disa javë, pa arritur kurrë në marrëveshje. Në fund, edhe një herë, asgjë nuk ndodhi. Romelu zgjodhi të huazohej te Roma, pasi kishte zemëruar gjysmën e Italisë.

Pjesa tjetër është histori e kohëve të fundit. Lukaku është sharë dhe fyer si kur kthehet në “San Siro” kundër Interit, edhe kundër Juventusit në “Allianz Stadium”. Më 30 dhjetor 2023, bardhezinjtë e mundën Romën 1-0 falë golit të Rabiot, ndërsa sulmuesi belg thuajse kishte frikë ta prekte topin. Sa herë që e bënte këtë, stadiumi “shembej” kundër tij.

Në Torino do të shkelë sërish si kundërshtar, këtë herë duke veshur fanellën e Napolit, me të cilën u përshtat menjëherë shkëlqyeshëm: dy gola, dy asiste. Lukaku është i qetë sot, luan, shënon, ka sërish në krah Conten. Sidoqoftë, kjo e sotmja, për të, do të jetë një e shtunë tjetër e zjarrtë. Sepse marrëdhënia me Juventusin është e thjeshtë për t’u kuptuar: kurrë miq!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit