“Topi i Artë” i vitit 2005 dhe yll i Barcelonës, Milanit e PSG-së, Ronaldinho, ka lavdëruar pasuesit e tij, të cilët do të jenë pa dyshim protagonistë në Ligën e Kampionëve. Midis tyre, Ousmane Dembélé dhe Lamine Yamal.
Në një intervistë për “L’Equipe”, braziliani, tani 45 vjeç, sheh te Yamal, kampioni i ri i Spanjës dhe Barcelonës, “një talent të hershëm”: “Më pëlqen ta shoh atë, edhe për aftësinë e tij për të shpikur. Sigurisht, duhet të konfirmohet, por do të bëhet një lojtar i madh. Jam i sigurt për këtë”.
Ronaldinho ndjek gjithashtu PSG-në: “Atje është Ousmane Dembélé, lojtar që më pëlqen shumë. Ka pak stil brazilian. Driblon, shpik, provokon. Është shpesh i palexueshëm dhe shënon shumë gola. Po tregon aftësitë e tij, duke marrë një rol ndryshe nga ai i PSG-së të vitit të kaluar, ose edhe nga ai në Barcelonë”.
Merita është padyshim edhe e Luis Enrique, të cilin ai e njeh mirë dhe përfaqëson një lidhje mes dy klubeve: “Kam parë disa foto shumë të bukura të Luis Enrique me të gjithë lojtarët e tij. Ai është dikush që e do shumë punën që bën, sepse jep gjithçka. Luis e di çfarë bën, çfarë futbolli do të luajë.
Ne u takuam në Barcelonë, e admiroj shumë dhe e respektoj. Ishte një lojtar i madh, që u bë edhe trajner i madh. Fitoi gjithçka te Barça dhe bëri gjëra të mëdha me kombëtaren spanjolle. Do të ketë sukses në atë që po ndërton në Paris. Po zhvillon një plan loje të mirë dhe tërheqës. PSG është një ekip me potencial të madh”.
Dy kampionët që përmendi Ronaldinho, nëse ekipet e tyre do të shkojnë në finalen e Ligës së Kampionëve, do të jenë gjithashtu në garë për “Topin e Artë”. Ata do të duhet të fitojnë edhe konkurrencën e Mbappé.
“Kylian është padyshim një nga lojtarët që më pëlqejnë shumë, – thekson ish-lojtari i Milanit. – Është një mik i madh i imi, e respektoj për gjithçka që bën në jetë. Jam shumë i lumtur që erdhi të luajë në kampionatin spanjoll.
Edhe unë pata pak të njëjtën rrugë, pas Parisit… (pavarësisht se në mënyrë të kundërt). Sidoqoftë, edhe ai është në një klub historik, që duhet t’i mundësojë të shprehet dhe të fitojë gjërat e mëdha, të cilat ende i mungojnë”.







