Shqipëria po përgatitet për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Mes lojtarëve kuqezinj të thirrur nga trajneri Sylvinho është edhe portieri shkodran i Cagliarit, Alen Sherri.
I lindur në vitin 1997, portieri kampion me Egnatian, edhe fitues i Kupës së Shqipërisë, u transferua kësaj vere në Serie A. Një hap i madh në karrierë, për të cilin u rrëfye në një intervistë me mediat zyrtare të klubit ku bën pjesë:
Për aventurën e tij me “rossoblù”: “Po lidhem me të gjithë djemtë. Natyrisht që kaloj më shumë kohë me disa, veçanërisht me të rinjtë apo me ata me të cilët kam më shumë afinitet gjuhësor. Dua të them se kam gjetur një grup të fortë, të shëndetshëm, pozitiv.
Trajneri? I shpjegon shumë konceptet e tij, kërkon shumë nga të gjithë. Niveli këtu është i lartë, edhe për mua steka është ngritur. Kësisoji, çdo moment i stërvitjes, edhe jeta jashtë fushës, janë vendimtare për t’u integruar te Cagliari. Të gjithë duhet të përmirësohemi së bashku”.
Për ingranimin me grupin e lojtarëve ku bën pjesë: “Po kënaqem shumë, nuk e prisja. Nuk është kurrë e lehtë të arrish në një realitet të ri, të nivelit të lartë, dhe ta fillosh menjëherë në këmbën e duhur. Kam gjetur ndjenjën e duhur me shokët e skuadrës, stafin teknik dhe njerëzit që punojnë në klub”.
Transferimi te Cagliari: “Nuk e besova fillimisht, mendova se ishte diçka e pamundur. Pastaj, gradualisht u bë më e arritshme dhe isha vërtet i lumtur. Vij nga dy sezone të rëndësishme për mua, në të cilët kam fituar titullin kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë. Shpresoj të fitoj eksperiencë ndërkombëtare këtu te Cagliari dhe të jem gati, sa herë që më kërkohet të luaj.
Në Serie A dhe në futbollin italian lojtarët kanë një ritëm të ndryshëm: janë më të fortë, më të aftë, trajnerët kërkojnë diçka më shumë dhe duhet të jesh në lartësinë e detyrës në çdo situatë. Të shikoja ‘Unipol Domus’ gjithmonë plot, në ndeshjet e para të sezonit, ishte emocionuese.
Stadiumi ‘vibronte’ dhe jepte një energji të çmendur. Edhe në ‘Valle d’Aosta’ ishte e pabesueshme të shihja kaq shumë njerëz në stërvitje. Tifozët janë gjithmonë të gatshëm dhe të etur për të na përqafuar, kërkojnë një foto ose një autograf”.
Si ishte transferimi si futbollist në Itali: “Në Shqipëri, për ne shqiptarët, Serie A dhe futbolli italian janë referencë për ata që duan të luajnë futboll. Ne jemi njerëz të afërt, të ngjashëm në shumë aspekte. Kësisoji, të gjithë synojnë të kalojnë detin për të mbërritur në këtë vend dhe luajtur futboll elitar.
Unë vij nga Shkodra, qytet ku futbolli është pothuajse fe dhe përfaqëson shumë në nivelin kulturor. Në këtë kuptim, kjo më ka ndihmuar që ta bëj punën time me pasion dhe ambicie. Ka shumë tipare të përbashkëta mes Shkodrës dhe Sardenjës, në veçanti me Cagliarin”.
Cilët kanë qenë idhujt e tij: “Më ka pëlqyer gjithmonë shumë Manuel Neuer, ishte referencë e imja për stilin dhe karakteristikat si portier. Unë jam tifoz i Real Madridit, gjithmonë e kam admiruar Cristiano Ronaldon për përkushtimin, profesionalizmin dhe ambicien e tij për të punuar shumë dhe arritur qëllimet. Duke u kthyer te portierët, Iker Casillas e vlerësoj shumë, edhe pse nuk jam shumë afër tij për sa iu përket karakteristikave”.