Rrëfehet Federer: Jam si një kalë garash që kërkon vendin e tij në pistë e mezi pret të garojë

26 Maj 2022
10:25
Telesport
back button

Roger Federer ka rinisur stërvitjen pas disa muajsh pushim për shkak të operacionit në gju. Tenisti zviceran, fitues i 20 grand slam, përgatitet për turneun Laver Cup, që do të zhvillohet në shtator. Ai pritet të rikthehet në këtë turne pas 15 muajsh pushim dhe më pas ka konfirmuar pjesëmarrjen në turneun e Bazelit, në shtëpinë e tij.

Në një intervistë për mediat vendase, Federer shprehet: “Po bëj një fazë rikuperimi të gjatë dhe të mirë, në mënyrë që e ardhmja të jetë sa më e mirë. Nuk është vetëm problemi i rikthimit tim në fushë si tenist. Dua të jem aktiv edhe kur luaj futboll më miqtë, kur bëj ski me familjen etj”.

Federer pranon se për rikthimin në fushë pret miratimin e mjekëve. “Për momentin po pres OK që do të më japin mjekët, për të dhënë sërish maksimumin në fushë. Gjithsesi, ndihem si një kalë garash që kërkon sërish vendin e tij në pistë, i gatshëm për të garuar”, u shpreh Roger Federer.

Shpresoj të rikthehem të luaj këtë verë, pasi më mungon të rikthehem në shtëpi në mbrëmje pas një ditë të fortë stërvitjeje. Aktualisht bëj shumë nxehmje para se të luaj në stërvitje, bëj shumë streçing për të mos u dëmtuar. Kujdesem shumë për trupin tim para se të luaj. Jam 40 vjeç dhe mezi pres të përballem me atë që vjen më pas”, tha Federer.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit