Pas tri sezonesh, sulmuesi 37-vjeçar francez Olivier Giroud nuk do të jetë më lojtar i Milanit. Në fund të sezonit, lojtari do të lërë Italinë për t’u transferuar në Amerikë (do të luajë në MLS me Los Angeles FC). “Këto janë dy ndeshjet e fundit me Milanin, do të shkoj të luaj në MLS”, tha Giroud, që ka realizuar 48 gola në 130 ndeshje me fanellën kuqezi.
“Jam shumë krenar për gjithçka që kam bërë me fanellën kuqezi në këto tre vjet. Ky është momenti i duhur për ta thënë këtë. Historia ime me Milan përfundon këtë vit, por do të mbetet gjithmonë në zemrën time. I dhashë gjithçka që kam këtij ekipi”, tha më tej sulmuesi francez.
“Ky është një vendim që e kam marrë për veten time, por edhe duke menduar për familjen time. Mendoj se është koha e duhur për të pasur një përvojë tjetër, asgjë më shumë. Kjo është koha për të vendosur familjen në radhë të parë sepse ata kanë bërë sakrifica gjatë gjithë karrierës sime, në një jetë që shkon me dyqind në orë dhe unë dua të kaloj më shumë kohë me ta, por nuk është ende koha për t’u tërhequr”, tha Giroud.
Giroud largohet nga futbolli evropian pas gati 20 vitesh karrierë: “Futbolli është një pasion, jeta ime. Veshja e fanellës së Milan ishte një nder dhe përfundimi në Europë në nivelin më të lartë me kuqezinjtë ishte ajo që doja. Do të kisha dashur të largohesha me një trofe, por kam dhënë gjithçka për fanellën e kuqezinjve që nga dita e parë”, u shpreh sulmuesi.
“Në ndeshjën e fundit në San Siro do të jem emocional, por dua ta përfundoj mirë. Dua të falënderoj fansat që më pritën mirë. E dija për atmosferën e çmendur të San Siro kur mbërrita këtu, por nuk e prisja kaq shumë dashuri dhe pasion”, tha Giroud.