Rrëfehet Mancini: Nuk më tunduan paratë e Arabisë që ika nga kombëtarja, por ishte zgjedhje e gabuar

27 Nëntor 2024
11:39
Telesport
back button

Në pritje të një projekti të ri me të cilin do të rikthehej në punë, trajneri Roberto Mancini shikon pas dhe pranon se ka bërë një gabim kur i tha lamtumirë kombëtares italiane, 16 muaj më parë. Asokohe ai vendosi të drejtojë Arabinë Saudite, detyrë ku u largua pak kohë më parë.

Nëse do të mund të kthehesha mbrapa, do të kisha një qasje tjetër në lidhje me lamtumirën nga kombëtarja. Ishte një zgjedhje e gabuar. Ajo marrëdhënie besimi reciproke me Federatën ishte prishur”, u shpreh ish-trajneri i kombëtares “azzurre”.

Më tej, Roberto Mancini shton: “Gjithsesi, nëse presidenti Gravina dhe unë do të kishim folur me njëri-tjetrin mund të ishim sqaruar dhe gjërat ndoshta nuk do të kishin shkuar kështu si shkuan”.

Të stërvitesh ndërkohë që ndjen se besimi në veten tënde është i lëkundur nuk është një ndjenjë e mirë, nuk të garanton qetësinë e duhur. Pavarësisht kësaj, unë fajësoj veten që nuk i kam trajtuar gjithçka më qartë me Gravinën”, u shpreh Roberto Mancini.

Aventura e tij me Italinë përfundoi më 12 gusht 2023 me dorëheqje dhe më pas pranoi ofertën e Arabisë Saudite: “Një ofertë kaq e lartë të fut në krizë, nuk e mohoj. Ka ndikuar në vendimin për t’u larguar nga stoli i Italisë por nuk ishte vendimtar”.

Mancini, që sot mbush 60 vjeç, zgjedh dhuratën e tij: “Do të doja të ngrija Kupën e Botës si trajner. Sapo u bëra trajner i kombëtares deklarova dy objektivat e mia: fitimin e Kampionatit Evropian dhe Kupën e Botës. Njërin e realizova”.

Tani, Mancini është në pritje të ofertës së duhur, e cila nuk ishte ajo e Romës pas shkarkimit të Juric: “Me kënaqësi lexova se shumë tifozë të Romës do të ishin të lumtur dhe shumë tifozë të Lazios do të zemëroheshin, por nuk jam kontaktuar kurrë. Nëse do të kishin qenë kushtet për një projekt të mirë, do të kisha thënë po”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit