Që në momentin që zgjodhi t’i japë lamtumirën Real Sociedad për t’u përballur me një sfidë të re në Angli, në një ligë tjetër, me një kulturë dhe gjuhë tjetër, mesfushori spanjoll Mikel Merino është ende në mes të përshtatjes. Por ai nuk është i shqetësuar për hapësirën e vogël që ka pasur deri më tani me trajnerin Mikel Arteta.
“Ndihem mirë dhe i fortë. Mezi prisja të thirresha për herë të parë pas Kampionatit Europian, por nuk ishte e mundur për shkak se isha i dëmtuar. Por tani jam mirë dhe jam shumë i lumtur që filloj një aventurë të re dhe dua të vazhdoj ta bëj këtë”, u shpreh Merino për mediat britanike.
Mesfushori ka luajtur vetëm 55 minuta këtë sezon, por së fundi u rikthye në kombëtare. Merino nuk ka dyshime për vendimin e marrë në verë: “Ishte një projekt që më tërhoqi vëmendjen. Ambicia e trajnerit, lojtarëve dhe e klubit mund të perceptohet teksa flasim çdo ditë në stërvitje”.
“Të gjithë duan të përmirësohen dhe të fitojnë. Mënyra se si ata punojnë është e patëmetë. Nuk do të mungojë përkushtimi dhe puna e palodhur për të përmbysur trendin dhe fituar një trofe këtë sezon”, tha Merino, aktualisht i grumbulluar me kombëtaren për ndeshjet në Ligën e Kombeve.
Duke folur për trajnerin Mikel Arteta, i cili e kërkoi me ngulm këtë verë, ai shtoi: “Ai është një trajner që ka shumë pasion për atë që bën. Jam shumë i apasionuar pas asaj që bëj dhe kur e sheh te profesionistët, të jep të njëjtin pasion. Ai ishte në gjendje të ndryshonte situatën e një klubi që më parë ishte në një situatë të pasigurtw”.