Alice Campello dhe Alvaro Morata mund t’i japin njëri-tjetrit një mundësi të dytë. Jo menjëherë, siç e ka sqaruar vetë sipërmarrësja: “Sot prioriteti nuk është të rikthehemi bashkë, por të jemi mirë”. Kjo mundësi ndoshta vjen në të ardhmen. Influencuesja ka udhëtuar këto ditë drejt Madridit për edicionin e dytë të “Forbes How I Did It”, një event që vlerëson profilet më të suksesshme të biznesit gjatë vitit të fundit.
Alice ishte e pranishme si CEO e “Masqmai”, marka e saj e bukurisë, e cila vitin e fundit ka gjeneruar të ardhura prej 8.8 milionë eurosh. Gjatë eventit, Campello ka dhënë disa deklarata interesante për “Europa Press”, duke zbuluar se do ta kalojë Krishtlindjen me ish-bashkëshortin e saj dhe katër fëmijët e tyre: “Fëmijët na kanë kërkuar që të përgatisim biskota së bashku dhe lumturia e tyre është gjëja më e rëndësishme. Prandaj, po, do të jemi bashkë”.
Lajmi i ndarjes së Morata dhe Campello mbërriti si një surprizë e madhe, duke qenë se gjithmonë shfaqeshin të lumtur dhe të dashuruar. Sa i përket një pajtimi të mundshëm me Morata, bukuroshja italiane theksoi: “Nuk përjashtoj asgjë. Jemi shumë të rinj. Ka momente kur nuk ndihesh mirë dhe ndodhin disa gjëra.
Unë kam pasur katër shtatzëni, katër fëmijë, periudhën pas lindjes; edhe ai ka pasur shumë gjëra të tijat… Ishim të dy në një moment shumë të komplikuar. Gjëja e rëndësishme është se vazhdojmë ta duam njëri-tjetrin dhe të mos i shkaktojmë kurrë dhimbje njëri-tjetrit.
Nuk e di çfarë do të ha nesër apo çfarë do të bëj nesër. Jeta ndryshon dhe të surprizon çdo ditë, kështu që gjithçka është e mundur. Nuk i mbyll asnjëherë dyert dhe nuk e di çfarë mund të ndodhë… E rëndësishme është që të respektojmë shumë njëri-tjetrin”.
Sot, Alice Campello dhe Alvaro Morata kanë gjetur përsëri harmoninë, edhe pse disa kohë më parë, pas lajmit të ndarjes, kishin vendosur të bllokonin njëri-tjetrin në rrjetet sociale: “Ka pasur keqkuptime, sepse nuk ndiheshim mirë me veten tonë.
Ka momente kur shpërthen nga zemërimi, si çdo çift… Ajo që mbizotëron në fund është dashuria. Zemërimi i një momenti prej dhjetë minutash kalon. Nuk ka pasur asnjëherë asgjë serioze, vetëm momente zemërimi, që më pas qetësohen”.