Rudiger iu përgjigjet akuzave për mbështetje të ISIS: Ja e vërteta e gishtit në foto

28 Mars 2024
12:52
Alfred Lleshi
back button

Imazhi i publikuar nga Antonio Rudiger për fillimin e Ramazanit ka ngjallur polemika të gjera në Gjermani, me akuzat për mbështetje të ISIS, siç raportohet nga gazetari Julian Reichelt. Pak ditë pas incidentit, mbrojtësi i Real Madrid theu heshtjen dhe shpjegoi versionin e tij të ngjarjeve, duke nënvizuar se ky gjest nuk kishte asnjë lidhje me veprimet e kryera nga grupi terrorist.

“Për të festuar fillimin e Ramazanit publikova një postim në Instagram, i dukshëm prej 13 ditësh për të gjithë, i cili kishte arritur disa milionë vota pa e kritikuar askush. Por ditët e fundit fotoja është përdorur nga disa për të hedhur akuza të pabaza, keqkuptojnë atë që ne e quajmë ‘gishti teuhid’.

Ky gjest konsiderohet në Islam si simboli i unitetit dhe njëshmërisë së Zotit. Ky gjest është shumë i përhapur në mesin e muslimanëve në mbarë botën dhe vetëm ditët e fundit është konsideruar si joproblematik nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme, – konfirmoi Rudiger në një intervistë për “Bild”. – Si një besimtar i devotshëm, unë praktikoj fenë time, por distancohem nga çdo formë e ekstremizmit dhe akuzave për islamizëm.

Dhuna dhe terrorizmi janë absolutisht të papranueshme. Unë jam për paqen dhe tolerancën. Shumë anëtarë të familjes sime iu përkasin feve të ndryshme. Megjithatë, ne e respektojmë njëri-tjetrin dhe i festojmë festat fetare së bashku. Respekti dhe toleranca janë parime themelore që të gjithë i mbajmë në familjen tonë”.

Pra, lojtari i Real Madridit hodhi dritë mbi një çështje që është bërë e mprehtë për shkak të një interpretimi të gabuar dhe që tashmë do të ketë pasoja gjyqësore, siç shpjegohet nga vetë Rudiger, i cili ka vendosur ta denoncojë ish-gazetarin e “Bild”:

“Edhe unë pranoj se, për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme, iu kam dhënë të tjerëve mundësinë që të keqinterpretojnë mesazhin tim. Në të njëjtën kohë, nuk do të lejoj askënd të më ofendojë apo të më etiketojë si islamist. Kjo është arsyeja pse kam vendosur të bëj padi në organet e ligjit.

Gjithmonë do t’i kundërshtoj akuzat e pavërteta me forcë. Shpresoj që ky sqarim të ndihmojë në zbardhjen e keqkuptimeve dhe nxjerrjen në dritë të së vërtetës. Falenderoj gjithashtu DFB-në që më ka mbështetur gjithmonë në këtë çështje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit