Rummenigge befason: Zgjedhjen e Kompany si trajner i Bayernit e “bekoi”… Guardiola

18 Tetor 2024
9:57
Alfred Lleshi
back button

Pasi u kthye në bordin mbikëqyrës të Bayern Munich që nga korriku i vitit 2023, Karl-Heinz Rummenigge foli për afrimin e trajnerit të ri Vincent Kompany. E bëri këtë në një intervistë të gjatë ekskluzive me “Kicker”: “Jam shumë i kënaqur nga pikëpamja sportive, sepse jemi kthyer në një kulturë pozitive, që është thjesht argëtuese.

Më pëlqen ky presion i lartë. Më kujton kohët e Jupp Heynckes, Pep Guardiola, Carlo Ancelotti dhe Hansi Flick, kur shijonim atë lloj futbolli argëtues. Mendoj se është e rëndësishme që kemi arritur ta rizbulojmë këtë stil loje. Futbolli ynë është bërë edhe një herë jo vetëm tërheqës, por edhe i aftë për të përcjellë gëzim te tifozët në stadium”.

Lojtarët, gjithashtu duken entuziastë me qasjen e lojës së Kompany: “Ky është një efekt i dyfishtë, që nuk e patëm vitin e kaluar. Trajneri i ri ka gjetur angazhimin maksimal të lojtarëve me stilin e tij të lojës”.

Gjatë periudhës kur klubi ishte në kërkim të një trajneri të ri, Rummenigge u konsultua me Guardiolën, i cili shprehu mbështetjen e tij të plotë për Kompany. “Pep më tha se ishte 100% i bindur se Vincent ishte trajneri i duhur për Bayernin”.

Karl-Heinz Rummenigge foli edhe për të ardhmen e simbolit bavarez, Manuel Neuer. I pyetur nëse kontrata e Neuer do të rinovohet, menaxheri i Bayernit u përgjigj: “Nuk e di, por të gjithë në klub e dinë se çfarë rëndësie ka ai për Bayern Munich”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit