Rummenigge i “shkel syrin” Klopp: Foli shumë kundër klubit të tij për Superligën…

20 Prill 2021
10:10
Alfred Lleshi
back button

Këto që po përjeton futbolli evropian janë ditët më të trazuara në historinë e tij të fundit. Në fakt, lindja e Superligës rrezikon të ketë pasoja, që është e vështirë edhe të imagjinohet për momentin. Drejtori i Përgjithshëm i Bayern Munchen, Rummenigge, shpjegoi në një intervistë me “Corriere della Sera” se si lindi kjo garë e re:

“Ne kemi qenë duke folur për këtë prej dhjetë vitesh dhe gjithmonë kemi vendosur të mbajmë modelin ekzistues. Pastaj, koronavirusi dëmtoi të gjithë futbollin evropian, veçanërisht ekipet e mëdha, të cilat humbën shumë pa tifozët në stadiume. Prandaj, disa klube menduan se ishte koha e duhur për të bërë një Superligë. Dhe lindi një rrëmujë e madhe…”

Në orët e kaluara, presidenti i UEFA-s, Ceferin, ka përdorur fjalë shumë të ashpra kundër Andrea Agnelli: “Më vjen keq për atë që ndodhi, sepse ata kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie miqësore dhe kanë punuar së bashku. Gjëja e rëndësishme tani është të rifillojë një dialog i caktuar. Shpresa ime është të gjendet ende një zgjidhje, sepse Superliga dëmton të gjithë futbollin evropian. Dhe ne duhet ta shmangim atë”.

Sipas Rummenigge, Superliga nuk është zgjidhja e problemeve të futbollit evropian: “Zgjidhja është ulja e kostove. Me Superligën, klubet po përpiqen të zgjidhin problemin e borxheve, të cilat janë përkeqësuar me pandeminë. Por rruga nuk mund të jetë për të mbledhur gjithnjë e më shumë dhe për të paguar gjithnjë e më shumë lojtarë dhe agjentë. Ne duhet t’i zvogëlojmë gjërat pak, jo të vendosim më shumë në tryezë. Ne kemi ekzagjeruar me shpenzimet: të gjithë, pa përjashtim. Është koha për t’u treguar më pak arrogant me shpenzimet”.

Ndër 12 klubet themeluese të Superligës është edhe Interi: “Thuhet se Interi gjithashtu ka probleme të mëdha financiare dhe ndoshta po mendon t’i zgjidhë në këtë mënyrë. Të ardhurat për të cilat po flasin iniciatorët e Superligës duken të mëdha, por nuk e di nëse problemet do të zgjidhen në planin afatgjatë. Nuk e besoj. Nuk është e mundur të grumbullohet gjithnjë e më shumë për të kompensuar shpenzimet”.

Bayerni është ndër emrat e mëdhenj në futbollin evropian që kanë vendosur të mos marrë pjesë në projektin e Superligës: “Ne nuk jemi brenda, sepse nuk duam të jemi pjesë e saj. Jemi të lumtur që luajmë në Bundesliga, një biznes “bukë e gjalpë”, siç thonë britanikët. Jemi të lumtur me Ligën e Kampionëve dhe të mos harrojmë përgjegjësinë ndaj tifozëve tanë, të cilët përgjithësisht janë kundër një reforme të tillë. Ne ndiejmë përgjegjësi ndaj futbollit në përgjithësi”.

Bayerni është duke kërkuar një trajner për sezonin e ardhshëm, pasi Flick tashmë ka njoftuar planet për t’u larguar. Ndoshta Klopp mund të jetë i lirë në treg së shpejti, duke pasur parasysh se nuk është në favor të Superligës, me Liverpool një nga klubet themeluese të saj. Rummenigge do ta donte një situatë të tillë, madje “ia shkel syrin” hapur teknikut të njohur gjerman, në formë diversioni brenda “Reds”: “Ne nuk kemi vendosur ende për trajnerin. Së pari fitojmë kampionatin dhe pastaj vendosim se çfarë duhet të bëjmë. Sigurisht që ai foli shumë kundër klubit të tij për Superligën…”

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit