Rummenigge: Janë prishur hierarkitë te Bayerni, me Guardiolën darkoja e pija verë çdo javë…

6 Mars 2024
8:40
Alfred Lleshi
back button

Karl Heinz Rummenigge la disa mesazhe të qarta në një bisedë me podcast-in “Tomorrow Business & Style”. Ai foli për Bayern Munich e së shkuarës, të tashmes dhe së ardhmes. Për të, me rëndësi mund të jetë çështja e hierarkisë: “Unë jam absolutisht në favor të hierarkisë. Një ekip me një hierarki të qartë do të funksionojë gjithmonë.

Në vitin 2020 kishim një hierarki superiore: Manuel Neuer në portë, David Alaba në prapavijë, Thiago në mesfushë, Thomas Müller në mesfushën-sulmuese dhe Robert Lewandowski në sulm. Për mendimin tim është bërë gabim i madh duke hequr qafe hierarkinë e tillë në mënyrë të panevojshme.

Arrita te Bayern Munich në moshën 18-vjeçare dhe aty, shefa në fushë ishin Maier, Beckenbauer, Gerd Müller. Të gjithë shkonim pas tyre dhe gjithmonë funksiononte. Sa herë që kishim një hierarki funksionale te Bayerni, ishim gjithmonë të suksesshëm”.

Ai dha më shumë detaje për strukturën e skuadrës gjermane në krizë: “E njoh Max Eberl prej kohësh. Mendoj se ka cilësi, një plan të qartë në mendje dhe është person empatik. Ai gjithashtu ka aftësinë për të bindur në një nivel të lartë, çka është e nevojshme, sepse duhet të durojë.

E presin shumë biseda me lojtarët. Ai do të duhet t’i bindë lojtarët të qëndrojnë te Bayerni dhe të tjerët të bashkohen me Bayernin. Roli i tij do të jetë shumë i rëndësishëm, edhe si ndërmjetës mes trajnerit dhe ekipit. Jam i bindur se do të luajë një rol të rëndësishëm dhe të mirë.

Është fakt që tani po i ndërrojmë trajnerë shumë shpesh. Në të kaluarën kemi pasur momente kur vazhdimësia ka qenë më e mirë, edhe sepse kemi pasur trajnerë që përshtateshin më mirë te Bayerni si Jupp dhe Pep. Nuk është rastësi që tani jemi ende miq, sepse ajo që na bashkoi ishte më shumë se futbolli.

Unë shkoja në darkë me Pep pothuajse çdo javë. Pinim një shishe të mirë vere të kuqe dhe flisnim për Zotin dhe botën. Kishim një marrëdhënie kaq të mrekullueshme, plot besim. Kemi nevojë të rikthehemi në gjetjen e atij lloji trajneri, gjë që do të jetë e vështirë”, – tha ai për marrëdhënien me Guardiolën.

Legjenda bavareze e futbollit iu referua edhe Leverkusenit të Xabi Alonso: “Të gjithë në Gjermani po festojnë tani, sepse u përpoqën për 11 vite, por nuk mundën ta fitonin titullin. Tani Leverkuseni ndoshta do ta fitojë dhe do ta meritojë, sepse jo vetëm ka sukses, por luan futboll atraktiv.

Nëse Bayer Leverkusen përfundon duke fituar titullin, mendoj se nuk do të ishte dramatike për Bayernin. Duhet ta pranojmë humbjen me stil dhe të themi: e kemi fituar 11 herë radhazi, nuk ia dolëm dot të 12-tën. Duhet të punojmë shumë dhe të përmirësohemi për ta fituar sërish në vitet e ardhshme, në mënyrë që njerëzit që po festojnë tani të mos kenë arsye për të festuar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit