Rummenigge zbulon prapaskenën: Ja si na iku nga duart ylli i Liverpool

2 Dhjetor 2019
10:12
Alfred Lleshi
back button

Superylli i Liverpool-it, Sadio Mane, ka mundur të jetë një lojtar i Bayern Munich, pasi ka qenë në radarët e skuadrës së njohur gjermane, sipas Karl-Heinz Rummenigge. Sulmuesi nga Senegali, paraqitjet e të cilit këtë sezon kanë marrë vlerësime të shumta, përfundoi si fillim te Red Bull Salzburg, para transferimit të Southampton dhe përfundimisht në “Anfield”, për një shumë të madhe parash. Pikërisht pasi kaloi në Austri nga skuadra franceze e Metz, ai tërhoqi vëmendjen e gjigantëve bavarezë. “Ne ishim të interesuar për Mane, por diçka nuk funksionoi, – tha Rummenigge për “Bild”. – Ai shkoi te Southampton dhe më vonë te Liverpool. Mëkat që na iku nga duart, nuk e morëm dot”!

Shpejtësia e sulmuesit dhe aftësia e shënimit të golave do të ishin veçanërisht të vlefshme për Bayernin, i mbetur “pa krahë” këtë sezon, mbas largimit të legjendave Franck Ribery dhe Arjen Robben. Kampionët e Bundesligës e kanë kthyer vëmendjen nga një sulmues tjetër i majtë, duke tentuar të bëjnë “pazar” në Premier League. Ata u lidhën me transferimin e gjermanit të Manchester City, Leroy Sane, këtë verë, por marrëveshja nuk u arrit. Më pas, Sane pësoi një dëmtim të rëndë në gju.

Rummenigge nuk la të kuptohet gjë të qartë nëse do t’i riktheheshin pistës “Sane”, duke thënë se do të ishte praktikë e keqe të komentosh lojtarin e një skuadre tjetër: “Nëse do të thoja diçka për Sane, do të kishte probleme. Dhe, mbi të gjitha, çmimi nuk do të ulej. Të dyja këto gjëra nuk janë të mira…”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit