Rusia e Bjellorusia me numër të reduktuar në Olimpiadë, IOC i përjashton nga ceremonia e hapjes

22 Mars 2024
10:30
Telesport
back button

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka vendosur që Rusia e Bjellorusia të përfaqësohen në Lojërat Olimpike “Paris 2024” me një numër të kufizuar sportistësh. Kështu, Rusia do të përfaqësohet vetëm me 54 sportistë, ndërsa Bjellorusia me 28 të tillë.

Të gjithë do të garojnë në Olimpiadë si neutralë, ndërkohë që delegacionet e këtyre dy vendeve janë përjashtuar nga ceremonia e hapjes, që do të zhvillohet përgjatë Senës. Olimpiada do të zhvillohet këtë vit në Paris në datat 26 korrik-11 gusht.

Në Olimpiadë do të shkojnë vetëm ata që nuk e kanë mbështetur publikisht pushtimin rus në Ukrainë dhe nuk kanë asnjë lidhje me ushtrinë apo agjencitë ushtarake. Deri më tani të kualifikuar në Olimpiadë janë 12 rusë dhe 7 bjellorusë. .

Një panel i përbërë nga tre anëtarë, do të përcaktojë përshtatshmërinë e individëve, pasi ata të kenë siguruar kualifikimin. Më vonë do të vendoset nëse ata do të mund të parakalojnë në ceremoninë e mbylljes.

Ndërkohë, disa sportistë nga këto vende kanë zgjedhur të… arratisen: IOC zyrtarizoi ndryshimin e kombësisë së notares Anastasiia Kirpichnikova, e cila do të përfaqësojë Francën. Ndërsa mundësi Aleksandr Komarov, fitues i medaljes së artë kontinentale, do të veshë ngjyrat serbe.

Një flamur “i ri” me ngjyrë jeshile nefriti, me fjalët “Atletët Individualë Neutralë” brenda, në anglisht dhe frëngjisht, do të valëvitet vetëm për ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Asnjë zyrtar i qeverisë ruse dhe bjelloruse nuk do të ftohet apo akreditohet. Mes sportistëve rusë të kualifikuar janë tenistët Daniil Medvedev dhe Andrey Rublev.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit