“Sado të dridhet krevati natën, gratë italiane nuk do të lindin kurrë një tjetër Del Piero”

26 Nëntor 2024
13:50
Alfred Lleshi
back button

Ata fituan së bashku Kupën e Botës më 2006, duke qenë protagonistë absolutë në kombëtaren axurre të drejtuar nga Marcello Lippi. Njëri ishte kapiten i Juventusit, ndërsa tjetri i kombëtares italiane. Asokohe, të dy luanin për bardhezinjtë, të cilët u përfshinë në vorbullën e skandalit të trukimeve, të quajtur “Calciopoli”.

Megjithatë, triumfi në “Gjermania 2006” shërbeu si njëlloj “melhemi” për italianët, të cilët e kthyen dhimbjen në forcë dhe triumfuan në Botërorin e atij viti. Fabio Cannavaro fitoi edhe “Topin e Artë” atë vit, u transferua te Real Madridi.

Po Del Piero? Kapiteni bardhezi nuk e “braktisi anijen”, edhe pse ajo po “mbytej”, përfundoi në Serie B. Shembulli ekselent i dashurisë për ekipin e zemrës, bashkë me portierin Buffon. Në librin e tij, ish-mbrojtësi kampion bote e kujton atë moment, duke lartësuar “Pinturicchio”:

“Në Torino, të gjithë e dini mirë se çfarë thonë: Sado që të dridhet krevati natën, gratë italiane nuk do të lindin kurrë një tjetër Del Piero! Gjatë festimeve histerike të Botërorit 2006, Del Piero erdhi tek unë dhe më tha: Fabio, unë po qëndroj.

Nuk e kuptoja në atë moment se çfarë donte të thoshte. Botërori mbaroi, u kthyem në Itali, plasi skandali i Calciopolit, duke bërë që Juventusi të zbriste në Serie B. Të gjitha yjet e skuadrës u larguan drejt klubeve të tjera, kurse unë u transferova te Real Madridi.

Kur mbaroi sesioni i transferimeve u befasova kur pashë që ai nuk ishte larguar nga Juventusi. Fituesi i freskët i Kupës së Botës dhe një nga yjet më të famshëm të futbollit, i kërkuar nga top-klubet, preferoi të luante në Serie B dhe jo të largohej nga Juventusi.

E telefonova për t’i kërkuar falje që u largova nga Juventusi dhe ai tha diçka që nuk do ta harroj kurrë: ‘Askush nuk të detyroi të largohesh, Fabio. Unë jam kapiteni i kësaj skuadre, qëndrimi ishte përgjegjësia ime, jo e jotja”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit