Sainz thumbon Ferrari: E kuptoj përse zgjodhën Hamilton, por ai nuk është më i mirë se unë

24 Korrik 2024
12:25
Telesport
back button

Me mbërritjen në vitin 2021 në vend të Sebastian Vettel, piloti spanjoll Carlos Sainz ka spikatur te Ferrari falë performancës së vazhdueshme. Rezultatet ishin të shkëlqyera, edhe pse të pamjaftueshme për të luftuar dhe fituar titullin e botës. Në fund të këtij sezoni ai do të largohet për t’i lënë vendin Lewis Hamilton.

Megjithatë, Carlos ndihet ende i kënaqur: “Viti filloi në një mënyrë të ndërlikuar mes mosrinovimit tim dhe ardhjes së Hamilton. Më pas operacioni i apendiksit. Megjithatë, pas fitores në Australi sezoni shkoi mjaft mirë. Nuk më vjen keq kur shikoj përvojën e përgjithshme me Ferrari”.

Duke folur për vendimin e “kokëkuqes” për ta zëvendësuar me Hamilton, spanjolli tha: “Natyrisht që nuk ndihem aspak inferior ndaj tij. Unë mendoj se çdo pilot do të thoshte të njëjtën gjë. Mendoj se jam alternativa më e mirë për çdo ekip të Formula 1 sepse, nëse nuk do të kisha këtë mentalitet, nuk do të isha pilot dhe nuk do të kisha një shpirt të tillë konkurrues”.

Padyshim e kuptoj vendimin e Ferrari, mundësinë për të nënshkruar me një pilot 7 herë kampion bote dhe çfarë mund të thotë për një ekip. Prandaj, kur analizova gjithçka me kujdes, nuk u ndjeva keq. Në fund të fundit, do të zëvendësohem nga më i miri në histori ose nga një nga më të mëdhenjtë në këtë sport”, tha Carlos Sainz.

Në fund, spanjolli foli për të ardhmen e tij. “Williams është një ekip historik. E njëjta gjë vlen edhe për Red Bull dhe Mercedes. Ka dy ose tre skuadra për të vlerësuar. Kam garuar në pesë ekipe të ndryshme gjatë këtyre dhjetë viteve, duke mbajtur një kujtim të mrekullueshëm për çdo ekip. Nuk do ta përjashtoja kthimin nëse më jepet mundësia”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit