Samit Laporta-Zahavi-Flick për rinovimin e trajnerit, marrëveshje deri më 2027

13 Maj 2025
8:30
Alfred Lleshi
back button

Fitorja ndaj Real Madridit (4-3), që praktikisht i siguroi Barcelonës titullin e La Liga-s, duke përmbyllur kështu një sezon spektakolar, pas triumfit në Superkupë dhe Kupën e Mbretit, gjithashtu ndaj “Los Blancos”, erdhi e shoqëruar me një tjetër lajm të madh.

Pas “El Clásico” në Montjuïc, Hansi Flick, i shoqëruar nga agjenti i tij Pini Zahavi dhe disa miq, darkoi në restorantin “Botafumeiro”, një nga perlat gastronomike të qytetit të Barcelonës. Aty, trajneri jo vetëm që festoi fitoren ndaj Real Madridit, të katërtën e sezonit në po aq përballje, por edhe vulosi qëndrimin e tij te Barça deri në qershor të vitit 2027.

Në fazën e avancuar të darkës, takimit iu bashkua edhe presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i kënaqur në maksimum nga një tjetër fitore ndaj Realit dhe nga fakti që skuadra ka siguruar pothuajse matematikisht titullin. Javë më parë, siç kishte raportuar edhe “Mundo Deportivo”, agjenti i Flick dhe presidenti Laporta kishin vendosur bazat e rinovimit të trajnerit gjerman, por mbeteshin disa detaje për t’u mbyllur.

Pas këtij takimi, marrëveshja është plotësisht e konfirmuar. Flick, që kishte kontratë deri në qershor 2026, do të qëndrojë një vit më shumë, deri në qershor 2027, pa ndonjë vit opsional shtesë në kontratë. Trajneri gjerman, siç e ka shprehur edhe në konferenca për shtyp, preferon kontrata të shkurtra dhe nuk dëshiron të marrë angazhime afatgjata, që mund të ndikojnë në të ardhmen e tij.

Në moshën 60-vjeçare, Flick gjithashtu nuk ka synime të qëndrojë për një periudhë shumë më të gjatë në nivelin elitar. Në varësi të ndjesisë së tij dhe nëse të dyja palët bien dakord më 2027, do të merret në konsideratë mundësia për të vazhduar edhe një vit tjetër, por për momentin është rënë dakord vetëm për një vit shtesë nga kontrata e nënshkruar verën e kaluar.

Edhe pse për gjithçka është rënë dakord, Barcelona nuk do ta zyrtarizojë rinovimin e Flick deri sa ta sigurojë matematikisht titullin e La Liga-s. Pasi të shpallet kampione dhe të përfundojnë festimet, klubi do të zgjedhë momentin e duhur për të njoftuar publikisht zgjatjen e kontratës së Hansi Flick deri në qershor të vitit 2027.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit