Sarri flet për Juventusin e Allegrit: Fitimi i Kupës së Italisë nuk e shpëton sezonin

21 Maj 2024
8:26
Alfred Lleshi
back button

Pak javë pas dorëheqjes së paraqitur te Lazio, Maurizio Sarri rikthehet për të folur në margjinat e prezantimit të edicionit të 22-të të Memorialit “Niccolò Galli”. Shumë tema janë prekur nga ish-trajneri bardhekaltër, i cili përveçse ka dhënë disa indikacione për të ardhmen e tij, është ndalur edhe tek lamtumira e zjarrtë mes Juventusit dhe Massimiliano Allegrit.

Sarri nuk ka dyshime në këtë kuptim dhe nënvizon se si fitimi i Kupës së Italisë nuk mund të mjaftojë për “Zonjën e Vjetër”. “A e shpëton sezonin Kupa e Italisë? Nuk e di, kur motoja e një klubi si Juventusi është ‘e vetmja gjë që ka rëndësi është fitorja’ ndoshta nuk mjafton”, – nënvizoi Sarri.

Në vend të kësaj, ai preferon të mos mbajë qëndrim për shkarkimin e zjarrtë të Allegrit: “Nga jashtë është e vështirë të krijosh një opinion. Për të thënë atë që ndodhi duhet të jesh brenda, ta përjetosh, përndryshe është e lehtë të thuash që njëra apo tjetra palë ka gabuar”.

Sarri, megjithatë, ka besim të madh në punën e Cristiano Giuntolit: “A do ta bëjë ai Juventusin të fitojë titullin? Mendoj se po, Cristiano është personi i duhur, kompetent, i vendosur. Ai është një drejtor sportiv që do ta mbaj gjithmonë në zemrën time, sepse kemi pasur një cikël 3-vjeçar te Napoli, ku jemi marrë vesh më së miri. Ky cikël na ka dhënë kënaqësi të madhe, ndaj kam shumë respekt për të”.

Sarri i është përgjigjur edhe pyetjes për sezonin katastrofik që ka përjetuar Napoli: “Më falni, siç e dinë të gjithë, dy skuadrat që kam në zemër janë Napoli dhe Fiorentina. Aty kam përjetuar vite të pabesueshme, të papërsëritshme. Jam i mërzitur kur shoh skuadrat që më pëlqejnë duke mos bërë mirë, natyrisht”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit