Sarri, “macja e zezë” për Milanin. Ronaldo në rregull, optimizëm për De Ligt

8 Nëntor 2019
10:07
Alfred Lleshi
back button

Me kualifikimin matematikor në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, Juventusi është më i qetë. Tani e ka kthyer fletën, po përgatitet me entuziasëm për ndeshjen e së dielës mbrëma, në Serie A, kundër Milanit. Një përplasje kjo, që ndoshta do t’i shohë Cristiano Ronaldo dhe Matthijs De Ligt si protagonistë. Kampioni portugez, në fakt, në ndeshjen e mesjavës me Lokomotiv Moscow u zëvendësua, si masë paraprake për të mos pasur lëndim. 

Prandaj, për këtë arsye, fanella e titullarit në duelin e radhës me kuqezinjtë duket e sigurt për CR7. Në këtë drejtim, trajneri Sarri nuk ka asnjë lloj shqetësimi. Paralelisht, megjithëse kushtet e tij duhen monitoruar nga orë në orë, De Ligt, gjithashtu, mund të startojë nga fillimi kundër Milanit. Holandezi nuk udhëtoi fare për në Rusi, për shkak të dëmtimit të lehtë në kyçin e këmbës. Qendërmbrojtësi 20-vjeçar po bën përpjekje të mëdha për riaftësimin në kohë. 

Në të vërtetë, optimizmi “filtrohet” edhe për këtë futbollist. Me pak fjalë, lajm i mirë për Maurizio Sarri, i cili mund të ketë mundësi të plotë zgjedhjeje për formacionin. Në fund, një kuriozitet, që thotë shumë: Trajneri i Juventusit përfaqëson një “mace të zezë” për kuqezinjtë, pasi në tetë ndeshje, “Djalli” nuk ka arritur kurrë të marrë më të mirën ndaj tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit