Sarri “prenoton” duelin me Mourinho, tregon favoritin e Champions-it

12 Dhjetor 2019
9:31
Alfred Lleshi
back button

Liga e Kampionëve tani për tani nuk mund të kërkonte asgjë më shumë nga Juventusi, që e mbylli fazën e grupeve me fitore në fushën e Leverkusenit, falë golave të Cristiano Ronaldo dhe Gonzalo Higuain. Në fund të ndeshjes, Maurizio Sarri foli në konferencën për shtyp, duke bërë një analizë të njërit prej kundërshtarëve të mundshëm në këtë kompeticion, raundin e radhës, Tottenham: “E konsideroj veten me fat që e takova Mourinho, ai është një person i jashtëzakonshëm. Ju siguroj se është një njeri i ndryshëm nga ai imazh që jep së jashtmi. Ritakimi me të, në Champions, do të më bënte shumë të lumtur. A mund të veçoj një favorit për ta fituar Ligën e Kampionëve? Po them Manchester City”.

Në mikrofonat e “Sky Sport”, më pas trajneri bardhezi analizoi ndeshjen e së mërkurës në mbrëmje: “Gjëja e rëndësishme është të gjesh ekuilibrin. Ne erdhëm nga një humbje dhe të përballeshim me Leverkusen në Gjermani nuk ishte e lehtë. Sfida u luftua në pjesën e parë, pastaj kundërshtari ra disi dhe ne dolëm në lojën tonë. Kishte një angazhim të shkëlqyer të lojtarëve”. Trajnerit të Juventusit me të vërtetë i pëlqeu mbrojtja, ndërsa Cuadrado dhe Rabiot marrin nota pozitive prej tij: “Të katër mbrojtësit i bënë mirë detyrat. Cuadrado vuajti në ndeshjen e parë, në atë rol, pastaj bëri më mirë. Rabiot u rrit shumë në pjesën e dytë”.

Në kampionat duhet gjetur menjëherë përqendrimi, për të sfiduar Udinese. Sarri shton: “Për ndeshjen e radhës në Serie A do të duhet të shohim kushtet e Bentancur, përndryshe do të luajë njëri mes Rabiot dhe Emre Can. Në kampionat kemi hasur disa vështirësi, kundër skuadrave të mesme e të vogla. Duhet të përmirësohemi në këtë drejtim”. Më në fund, hipoteza e “tridentit” të vërejtur të mërkurën në mbrëmje, në pjesën e dytë, vazhdon të mbetet vetëm një ide për momentin: “Prita pak, para se të hidhja në lojë Dybala. Sapo pashë se ra intensiteti i lojës së kundërshtarit, mendova se sulmuesit e mi mund të luanin së bashku. Ishte një kohë e mirë, pasi Bernardeschi nuk gjeti hapësira”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit