Sassuolo-Milan vendos gjithçka, titull dhe merkato: Berardi, Scamacca dhe jo vetëm

18 Maj 2022
15:27
Denis Hakanaj
back button

Serie A do të vendoset në javën e fundit, siç nuk ndodhte prej kohësh. më saktësisht, hera e fundit ka qenë në sezonin 2009/10, kur Inter-i i Mourinho-s ka fituar garën për titull kundër Roma-s duke mposhtur Siena-n.

Këtë herë, Milan-i do të paraqitet në javën e fundit me një avantazh prej dy pikësh dhe në fushën e Sassuolo-s do të kërkojë të marrë pikën që do ta lejonte të shpallej kampione e Italisë, për herën e parë nga 2011-a. Inter-i pret Sampdoria-n dhe shpreson te një hap fals i kushërinjve.

Sassuolo-Milan do të jetë “finalja” e vërtetë për titullin. Dhe ajo që do të ndodhë në fushë mund të ketë ndikim shumë të madhe dhe në merkaton e verës. Nën vëzhgim, në fakt, janë xhevahiret e emilianëve.

Po flasim për Berardi, Scamacca, Raspadori dhe Frattesi, të cilët kanë përfunduar në shënjestrën e Juventus-it, Inter-it dhe Milan-it. Intervista e dhënë për Corriere dello Sport, drejtuesi i Sassuolo-s, Giovanni Carnevali, ka qenë një tregues i rëndësishëm.

Për Domenico Berardi, Milan-i nuk ka bërë asnjë ofertë zyrtare, pavarësisht se e ka vënë sulmuesin në shënjestër. 27-vjeçari kërkohet nga të mëdhatë e futbollit italian pas një tjetër sezoni pozitiv me 15 gola dhe 17 asiste. Milan-i ndjek edhe alternativa si Asensio dhe për Gabriel Jesus, për të cilin duket se do të ketë shumë shpejt disa kontakte.

Një tjetër lojtar kyç jo vetëm për sfidën me Milan-in, por edhe për merkaton e ardhshëm është Gianluca Scamacca, që Inter-i e ndjek prej kohësh bashkë me Davide Frattesi-n, siç ka konfirmuar vetë Carnevali.

Për Frattesi-n mund të ndërhyjë edhe Juventus-i, që duan të përforcojnë mesfushën. Bardhezinjtë mendojnë edhe për Raspadori-n, një tjetër lojtar në rritje (10 gola dhe 6 asiste).

Nuk duhen harruar Traore, i ndjekur nga Milan-i, Napoli dhe Roma dhe çmimi i të cilit i kalon 30 milionë eurot. Më pas është edhe  Maxime Lopez, për të cilin ka gjithashtu një interesim të madh.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit