Debati për më të madhin mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos vazhdon, por legjenda malazeze Dejan Savićević e ka të qartë zgjedhjen e tij. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ish-ylli i Milanit deklaroi: “Nëse nuk e kuptoni këtë, nuk kuptoni futbollin: Messi ka qenë gjithmonë 70% talent dhe 30% përkushtim, ndërsa Cristiano e kundërta”.
Savićević argumentoi se me kalimin e viteve është talenti ai që të mban në nivelet më të larta: “Me moshën, fiziku bie dhe vetëm talenti të mban në lojë. Edhe në Katar, katër vite më parë, Cristiano nuk luajti mirë”.

Duke komentuar tre golat e Messit në debutimin e Argjentinës ndaj Algjerisë, ai pranoi: “Nuk besoja se Messi mund të luante ende kështu në një Botëror”. Megjithatë, shtoi se “dy nga tre golat ishin edhe meritë e gabimeve të portierit Luca Zidane”.
Për Cristiano Ronaldon, 41 vjeç, këshilla e tij ishte e qartë: “Duhet të largohet nga kombëtarja dhe të përqendrohet te klubi. Mund të shënojë 1.000 gola pa dëmtuar marrëdhënien me tifozët. Njerëzit kujtojnë gjithmonë gjënë e fundit që ke bërë”.







