Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, ka folur për “Corriere della Sera”, duke prekur temën e së ardhmes së Paulo Fonseca në stolin kuqezi. Po kështu, u përpoq ta mbyllë polemikën e ditëve të fundit, që lindi pas deklaratave të Jerry Cardinale për Interin, fjalë që detyruan presidentin zikaltër, Beppe Marotta, të përgjigjej.
“Nëse Fonseca rrezikon? Jo, të gjithë i urojmë të fitojë shumë”, – shpjegon numri një i kuqezinjve në intervistën e tij. Më pas, kalimi te polemika në distancë me Interin: “Cardinale, si një njeri i sportit dhe jo vetëm biznesmen, i referohej pronësisë së mëparshme të Interit dhe sigurisht jo klubit zikaltër.
Në fushë përballemi dhe duam të përballemi, si në derbin e fundit. Ndoshta ndonjëherë e thumbojmë njëri-tjetrin në mënyrë të mirëfilltë, por është e qartë që jashtë fushe ka respekt dhe bashkëpunim të ndershëm me Interin.
Imagjinoni: ne ndajmë stadiumin së bashku dhe po punojmë për të ndërtuar një të ri. Milano është një realitet ‘sui generis’, ku tifozët, për fat të mirë, mund të shkojnë të shohin derbin duke u përzier me njëri-tjetrin, në një klimë të qetë”.
Një urim për vitin e ardhshëm: “Duhet të përpiqemi të fitojmë dhe të përmirësojmë renditjen në kampionat, edhe sepse duam ta shohim Interin më afër në renditje”.