Clarence Seedorf, kur flet për Milanin, e bën gjithmonë “pa dorashka”. Në një intervistë të dhënë gazetares Giulia Mizzoni në kanalin e saj në YouTube, holandezi ka shprehur mendimet e tij për Fonseca, Theo Hernandez dhe çështje të tjera. Para së gjithash, ai dëshironte të theksonte emocionin e përjetuar në “San Siro” për festën e 125-vjetorit të klubit kuqezi:
“Është gjithmonë e mrekullueshme të kthehem dhe ritakoj ata që ishin idhujt e mi qysh fëmijë: Van Basten, Gullit, Rijkaard, Baresi… Është speciale t’i shohësh të gjithë bashkë. Ata e tregojnë historinë e Milanit më mirë se një mijë fjalë”.
Biseda më pas kaloi te çështjet aktuale kuqezi; nga Fonseca te menaxhimi i ekipit dhe komunikimi me tifozët: “Besoj se lojtarët më me përvojë duhet ta ndihmojnë Fonseca. Ai është një trajner i ri, që vjen në një dhomë zhveshjeje të mbushur me personalitete dhe individualitete të forta. Është e nevojshme që të gjithë të marrin përgjegjësitë e tyre”.
Më pas, ai komentoi mbi komunikimin e klubit: “Tifozët meritojnë qartësi. Mendoj se është thelbësore të jesh i hapur dhe i drejtpërdrejtë. Duhet kohë, por po vendosen themele të mira. Nuk ndërtohet gjithçka për një ditë”.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimësisë: “Është thelbësore, jo vetëm në rezultate, por edhe lojë. Nuk është e mundur që ata të dominojnë në Madrid dhe më pas të mos arrijnë një rezultat në shtëpi ndaj një skuadre të vogël tri ditë më vonë. Struktura është aty, por duhet kohë, durim dhe vazhdimësi”.
Në përfundim, Seedorf foli për disa lojtarë kyç: Leao, Theo dhe bashkatdhetarin e tij Reijnders: “Duhet të rikuperohet Theo dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Cilësia e tij dhe e Rafa do të bëjnë diferencën në fund. Për Reijnders them se është përmirësuar shumë, veçanërisht në 30 metrat e fundit. Me Fofana formojnë një dyshe të shkëlqyer, kanë energji dhe eksplozivitet”.