Shqipëria do të jetë pengesa e parë në rrugëtimin e Italisë në “Euro 2024”. Axurrët e Luciano Spallettit do të sfidojnë në Dortmund kombëtaren e drejtuar nga Sylvinho, një duel që premton të jetë vendimtar.
Braziliani, me trajner Roberto Mancini te Manchester City, me të cilin ka punuar edhe tek Interi si bashkëpunëtor teknik, është në pankinën shqiptare që nga janari i vitit 2023. Që nga dita kur ai mori detyrën, gjërat kanë ndryshuar për mirë te kuqezinjtë.
Kombëtarja shqiptare në fakt ka ndryshuar qasje në përzgjedhjen e lojtarëve për t’u thirrur në ndeshjet ndërkombëtare, duke u mbështetur në një algoritëm. Nëpërmjet këtij algoritmi, Sylvinho dhe stafi i tij mund të gjejnë të gjithë ata lojtarë që kanë lindur jashtë vendit, por që falë pranisë së prindërve apo të afërmve të lindur në Shqipëri, mund të veshin fanellën kuqezi.
Në këtë kuptim, puna e italianit Alarico Rossi, Shefi i Departamentit të Analizave të Federatës Shqiptare të Futbollit ishte jashtëzakonisht i vlefshme. Rossi ishte në gjendje ta zhvillonte këtë bazë të dhënash, e aftë për të gjurmuar të gjitha informacionet në lidhje me lojtarët që kanë lindur jashtë vendit, por që në “pemët” e tyre familjare përkatëse tregojnë origjinën shqiptare.
Me rastin e “Euro 2024”, Sylvinho thirri 26 lojtarë, duke shfrytëzuar plotësisht potencialin e algoritmit që lejoi Federatën Shqiptare të Futbollit të shoshiste gjithë panoramën botërore. Nëse Shqipëria zyrtare përbëhet nga rreth 3 milionë banorë, llogaritet se janë edhe 9 milionë të tjerë me origjinë shqiptare të shpërndarë nëpër botë.
Mjafton të thuhet se për eventin në Gjermani vetëm 8 nga 26 lojtarë kanë lindur në Shqipëri. Armando Broja, për shembull, luan për Cheslea, por ka lindur në Angli me prindër shqiptarë. Një shembull tjetër është ai i Jasir Asanit, i cili luan në Korenë e Jugut me Gwangju, por gjithashtu ka lindur në Maqedoni nga prindër shqiptarë.
KU KANË LINDUR 26 LOJTARËT E SHQIPËRISË
Shqipëri: 8
Zvicër: 6
Kosovë: 3
Maqedoni e Veriut: 3
Gjermani: 2
Greqi: 2
Angli: 1
Spanjë: 1