Serbët dominojnë Turin 81-të Çiklistik të Shqipërisë, Veljko Stojnic shpallet fitues i turneut

25 Maj 2024
10:03
Telesport
back button

Çiklisti serb Veljko Stojnic është shpallur fitues i edicionit nr.81 të Turit Çiklistik të Shqipërisë. Ai dha kohën e përgjithshme 17h58’38”, duke mbajtur të veshur edhe fanellën e verdhë të liderit të këtij turneu.

Fitorja e etapës së katërt, që ishte malore, i dha atij suksesin në këtë Tur. Ndërkohë që, në etapën e pestë dhe të fundit, Vlorë-Fier, 118km e gjatë, ai thjesht u mjaftua me administrimin e avantazhit që kishte krijuar.

Fitues i etapës së pestë doli britaniku Freddie Grover, që dha kohën 2h40’36”. Ai fitoi me sprint, duke prerë i pari vijën e finishit në qytetin e Fierit, ku dhe u zhvillua ceremonia përmbyllëse e këtij eventi ndërkombëtar.

Ajo që ra në sy ishte paraqitja e dobët e çiklistëve shqiptarë, që nuk fituan asnjë etapë në këtë turne. Më i miri nga kuqezinjtë ishte Lukas Sulaj Kloppenborg, që u rendit në vendin e 13-të, me gati 15 minuta larg kreut.

Për sa i përket renditjes ekipore, në vendin e parë doli kombëtarja serbe, ndërsa ajo shqiptare u klasifikua në vendin e shtatë mes dhjetë skuadrave pjesëmarrëse. Ky event shënoi edhe një incident të rëndë në etapën e katërt, për fat pa pasoja për jetën e 3 garuesve.

Turi 81-të Çiklistik

Etapa 1, Tiranë – Korçë, Djorde Duric (Serbi)

Etapa 2, Korçë – Elbasan, Frank Longstaff (Gjibraltar)

Etapa 3, Elbasan-Kuçovë-Lushnjë-Vlorë, Djorde Duric (Serbi)

Etapa 4, Vlorë-Himarë-Llogara, Veljko Stojnic (Serbi)

Etapa 5, Vlorë-Fier, Freddie Grover (Britani Madhe)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit