Serbi-Zvicër, flet Taulant Xhaka: I sugjerova Granitit të mos shkojë në Serbi, s’mund ta ruajë kontrollin atje për 90 minuta

10 Tetor 2024
10:43
Alfred Lleshi
back button

“Mendova se nuk ishte e drejtë”, – thotë Taulant Xhaka për momentin kur u shpall shorti me kundërshtare Serbinë për Zvicrën në Ligën e Kombeve. Familja e tij ka vënë në dukje me shqetësim se pas dueleve të nxehta në Botërorin 2018 në Rusi dhe 2022 në Katar, tani është ndeshja e parë për kapitenin e “Nati”, Granit Xhaka, që do të luajë në Serbi.

Taulant Xhaka ishte në fushë në Beograd, në vitin 2014, kur u anulua ndeshja me kombëtaren shqiptare kundër Serbisë. “Unë e di vetë se sa presion dhe emocione duhet të durosh në këtë lloj ndeshje”, – thotë vëllai i kapitenit të kombëtares helvete për “Blick”.

Ndaj, vëllai i madh, që luan te FC Basel, e ka marrë telefonin menjëherë pas shortit, siç tregon ai për “Blick”: “I sugjerova Granitit që të fliste me trajnerin Murat Yakin dhe ndoshta ta evitonte këtë ndeshje, por të gjithë e njohim vëllanë tim, dëshiron ta luajë çdo ndeshje me Zvicrën”.

33-vjeçari shpreson që të mos jenë ditë emocionale dhe kaotike si në duelet e mëparshme: “Nuk është e lehtë ta mbash veten nën kontroll për 90 minuta, kur gjërat bëhen sërish kaq emocionale. Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, t’i injorojë provokimet. Është e lehtë të thuhet, por në fund gjithçka ka të bëjë me një lojë futbolli, që duhet fituar”.

Federata Zvicerane e Futbollit dëshiron ta mbajë këtë temë sa më të zbehtë. “Këto janë histori të vjetra, ndaj Serbisë do të jetë një ndeshje si çdo tjetër”, – thotë drejtori i “Nati”, Pierluigi Tami.

Mendimi është i ngjashëm kur pyet futbollistët në Zvicër. “Unë pres një lojë normale futbolli dhe mendoj se të dyja palët kanë mësuar nga e kaluara”, – thotë ish-bashkëlojtari i kombëtares helvete, Admir Mehmedi.

Kapiteni i GC, Amir Abrashi, i cili aktualisht është në kombëtaren shqiptare, luante përkrah Taulant Xhakës në vitin 2014, e vlerëson kështu situatën: “Nuk do të jetë përballje aq e nxehtë sa ka qenë në të kaluarën. Përveç kësaj, aty është vetëm Graniti. Në dy duelet e fundit mes Zvicrës dhe Serbisë, shumë gjëra u rrotulluan rreth Xherdan Shaqirit”.

Po si e shohin çështjen në Serbi? “Ne e perceptojmë Granit Xhakën si një provokator, nëse e shihni se si është sjellë në ndeshjet e fundit, – thotë gazetari serb Velkjo Ivanović nga “Sportal.rs”. Këtu kam parasysh, për shembull, ekspozimin e fanellës së Jasharit në Botërorin e Katarit apo festimi me shqiponjën dykrenore në Botërorin e Rusisë”.

Pas dy dueleve mes Serbisë dhe Zvicrës, të cilat u bënë shumë tituj mediash jashtë fushës, serbët janë të mendimit: “Nuk duam të merremi më me gjëra që kanë pak lidhje me futbollin”. Kjo i referohet, për shembull, historisë së familjes Xhaka. Prindërit janë me prejardhje kosovare, babai Ragipi ishte dikur në burg për arsye politike në atë që ishte shteti multietnik i Jugosllavisë.

Sigurisht, kapiteni i Zvicrës duhet të presë fishkëllima dhe goditje në stadiumin “Dubocica” të shtunën. “Në Serbi, gjithashtu e njohin se çfarë futbollisti i shquar është Granit Xhaka”, – tha Ivanović. Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkovic, ka vlerësuar edhe një herë kapitenin e “Nati” para mediave vendase: “Ai është një lojtar i madh, që prej shumë vitesh që luan në nivel botëror. E vlerësoj shumë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit