Sfida vendimtare ndaj Spanjës, Sylvinho: “Lojtarët e mi janë të guximshëm dhe do të japin gjithçka”

23 Qershor 2024
23:43
Telesport
back button

Kombëtarja shqiptare do të luajë mbrëmjen e së hënës ndaj Spanjës sfidën e tretë dhe të fundit të grupit B, në kuadër të finaleve të Kampionatit Europian 2024 që po mbahet në Gjermani. Një ndeshje mjaft e rëndësishme për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo, të cilët renditen të tretët në grupin B me vetëm një pikë dhe do të kërkojnë një rezultat pozitiv nesër ndaj iberikëve, për të kaluar në raundin tjetër.

Në prag të këtij takimi që do të luhet në stadiumin “Dusseldorf Arena” në Gjermani, në ora 21:00, trajneri Silvinjo ka dalë përpara mediave, ku kanë folur për gjendjen e ekipit, atmosferën dhe kanë treguar pritshmëritë që kanë për këtë sfidë, që e konsideruan si mjaft vendimtare për rrugëtimin e Shqipërisë në këto finale.

Trajneri Silvinjo vlerësoi kundërshtarin duke e konsideruar edhe si një nga skuadrat favorite për të fituar Europianin, por theksoi se Shqipëria ka shanset e saj dhe nesër do të kërkojë maksimumin për të tentuar kualifikimin.

Keni mundësi për t’u kualifikuar dhe për të bërë histori me Shqipërinë, çfarë do të thotë kjo gjë për ju? – “Është emocionuese dhe për më tepër është një pyetje interesante. Është e rëndësishme për familjen time. Për mua është fantastike. Spanja është skuadër brilante, do të jetë një ditë që nuk do ta harroj. Kemi përfunduar në grupin e vdekjes dhe tani na jepet një mundësi shumë e madhe kundër një prej skuadrave më të mira në botë.”

Spanja mund të luajë me formacionin e dytë nesër ?- “E dini më mirë se unë që Spanja e ka në ADN-në e saj zotërimin e topit, ka shumë cilësi në mesin e fushës. Ka diçka tjetër, lojtarë shumë të mirë në krahë. Ka disa lojtarë shumë të shpejtë në krahë dhe qendër. Kanë shumë cilësi edhe në mbrojtje, të lejojnë shumë pak hapësira, janë të organizuar. Ka fituar me Kroacinë dhe Italinë, ka fituar grupin, për ne do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Edhe ne kemi lojtarë të mirë, mezi presim të luajmë kundër Spanjës.”

Keni ndjekur nga afër ndeshjen Spanjë – Itali – “Kam shkuar me Zabaletën, diçka e planifikuar, një ditë pas ndeshjes sonë. I njohim të gjithë kundërshtarët tanë, është një skuadër që impresionon, ka lojtarë shumë të mirë. De la Fuente ka bërë një punë shumë të mirë, sulmon dhe mbrohet shumë mirë. Në kualifikuese ka humbur vetëm një ndeshje kundër Skocisë. Lojtarët e mi janë të guximshëm dhe do të japin gjithçka në këtë ndeshje të fundit. Çdo gjë mund të ndodhë gjatë 90 minutave, do të futemi në fushë për të bërë më të mirën.

Keni kaluar në epërsi në dy ndeshjet e para, çfarë ju ka munguar për të fituar? – Është diçka e madhe të shënosh i pari. Ky është eventi i dytë i madh për Shqipërinë dhe lojtarët po përmirësohen. Ka të bëjë me përvojën dhe ballafaqimet në gara të mëdha dhe me skuadra të mëdha. Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi, në menaxhimin e fazave të lojës. Nëse do të bëjmë perfomancën më të mirë, mund të arrijmë rezultatin e duhur.

Ka mbetur vetëm një ndeshje në grupin e ferrit, a je i lumtur që po luftojmë për kualifikimin? – Jam i lumtur. Shumë njerëz para pesë muajsh kanë menduar se do të pësojmë katër ose pesë gola, e ndeshja e fundit s’do të kishte asnjë vlerë. Jam i lumtur për punën që kemi bërë. Jam i kënaqur me lojtarët e mi, kemi bërë çdo gjë që kemi mundur. Vazhdojmë të ëndërrojmë.

A është ndeshja më e rëndësishme në karrirën tënde si trajner? – Jam ende i ri, është një ndeshje me shumë rëndësi dhe nuk do ta harroj. Luajmë kundër Spanjës së vendit të parë. Jam gjysmë spanjoll gjysmë brazilian. Nëse kjo është më e rëndësishme, situata mund ta bëjë të tillë. Pas barazimit me Kroacinë ishte ajo, ndoshta mund të bëhet kjo me Spanjën.

Çfarë do të thotë për Shqipërinë të kualifikohet në raundin e 1/16-ave? – Kemi punuar me skuadrën Kombëtare me muaj të tërë. Kemi qenë në Tiranë dhe kemi parë përkushtim të madh dhe besim nga njerëzit që punojnë për këtë skuadër. Në Shqipëri ka 3 milionë shqiptarë por dhe 10 milionë në botë. Gjeneratat e tanishme po gëzojnë ndeshjet e Kombëtares në Europian. Po bëjmë punë shumë të mirë. Nëse kalojmë grupin është më mirë. Do jetë kënaqësi të luajmë në mesin e 16 skuadrave më të mira.

Cilën skuadër konsideroni favorite për të fituar Europianin? – Nuk kam arritur të shoh shumë ndeshje. Kam parë Spanjën me Italinë, kemi punuar për orë të tëra, stërvitje, udhëtime. Spanjën e kam parë, por jo ndeshjet e tjera. Vetëm 10-15 minuta mes Holandës dhe Francës. Sigurisht, nëse do të duhet të them emra, Spanja sigurisht, Italian dhe Kroacia gjithashtu nëse kalojnë grupin.

Shqipëria ka shanse për t’u kualifikuar edhe me një barazim, a do të futeni në fushë për një pikë? – Unë në karrierën time nuk kam parë një trajner që shkon në fushë për barazimin. Nëse ke një skuadër të mrekullueshme luan për të fituar, por varet nga çfarë ndodhë gjatë ndeshjes. Nëse duam të kalojmë, duhet të fitojmë. Është e vërtetë që mund të kalojmë me dy barazime, por duhet të luajmë për të fituar dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në minutat e fundit.

Spanja vjen me disa mungesa ndaj Shqipërisë – Ata janë një skuadër e mrekullueshme, edhe skuadra e dytë mund të luajë dhe të fitojë. Janë të motivuar, nuk mund të mendojmë se çfarë bën Spanja. Ata luajnë në nivel shumë të lartë, kushdo që është në fushë. Shpresoj të kemi një ndeshje të mrekullueshme, e dimë që gjithçka mund të ndodhë.

I keni ndjekur ndeshjet e Copa America? – Nuk ka qenë e lehtë të vijmë këtu. Ka patur shumë punë, gola, lojëra të mira, ndeshje të vështira. Nuk kam pasur kohë të shoh as ndeshjet e Europianit dhe jo më Copa America. Nuk kam kohë.

Nga “EURO 2016” në “EURO 2024” çfarë ka ndryshuar për Shqipërinë? – Nuk kam përmirësuar futbollin shqiptar. Kjo ka të bëjë me punën e madhe të lojtarëve. Kemi lojtarë shumë të mirë. Në fushë do të jenë 11 dhe ka shumë të mirë mes tyre. Ne kemi punuar shumë për të parë se çfarë mund të bëjnë lojtarët në fushën e lojës, në mënyrë që të bëjnë edhe më shumë, që të përmirësohemi dhe të përballemi me kundërshtarin. Kemi lojtarë shumë të mirë, ka të bëjë me forcën dhe dashurinë që kanë për vendin.

Formacioni titullar i Shqipërisë ndaj Spanjës? – Ne e kemi gati formacionin, por ne kemi edhe një seancë stërvitore, do të shohim dhe do të vendosim. Do të tentojmë të shfrytëzojmë mundësitë tonë për të vazhduar përtej fazës së grupeve.

Pezullimi i Mirlind Dakut nga Komisioni i UEFA-s? – “Sikurse tha edhe Gjimshiti, jemi këtu për të luajtur futboll në një eveniment brilant, duhet të flasim për futboll. Nuk duam të shpenzojmë energji për diçka tjetër. Çfarëdo që ka vendosur UEFA është punë e saj.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit