Shah, Cruijff, Guardiola…, ky është trajneri i ri i Barcelonës: Unë sulmoj gjithmonë!

14 Janar 2020
11:43
Alfred Lleshi
back button

“Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një shkrim biografik trajnerit të ri të Barcelonës. Quique Setien do të zërë vendin e Ernesto Valverdë, me këtë të fundit të shkarkuar dje nga drejtuesit e klubit katalanas: “Pak më shumë se një vit më parë, në tetor 2018, shkuam në Seville për të intervistuar Quique Setien, asokohe trajner i kundërshtarit të Gattuso dhe Milanit në “Europa League”. Në “San Siro”, Betis fitoi 2-1, në “Benito Villamarin”, kthimi përfundoi 1-1. Betis e mbylli grupin në vendin e parë, Milani në të tretin, i eliminuar. 

Tani, të dy trajnerët do të ndeshen në 16-she të Champions-it, Barcelona-Napoli. Këtu janë disa fragmente nga intervista e Setien, që kemi botuar në atë kohë, të cilat ilustrojnë në mënyrë të përsosur idetë dhe mentalitetin e trajnerit të ri të Barcelonës. Quique Setien ishte një futbollist i talentuar dhe u shndërrua në një trajner të dashur për futbollin. Dy gjëra e kanë shënjuar jetën e tij sportive: Kupa Botërore e Shahut më 1972, midis Bobby Fischer dhe Boris Spassky (këtë event e përjetonte përmes televizionit, në moshën 14 vjeç), dhe trajnimi i Barcelonës (ekipi i ëndrrave) nga Johann Cruijff, të cilin e përcillte si një futbollist. 

“Unë gjithmonë kam luajtur në sulm. Në jetë më ka tërhequr shahu dhe futbolli. Unë nuk mund të rri e ta pres kundërshtarin, ndaj edhe si trajner luaj në sulm. Kam një ndjenjë, një filozofi mendore, që më shtyn të preferoj futbollin ofensiv, të luaj kështu”, – thoshte Quique Setien, tetorin e vitit 2018 .

Përse?
“Sepse është shumë më argëtuese kjo mënyrë të luajturi. Unë mendoj se në futbollin e sotëm kemi një angazhim moral edhe karshi shfaqjes, jo vetëm rezultatit. Kjo është ajo që ndiej”.

Cilët trajnerë ju pëlqejnë?
“Pika e referencës është Guardiola. Kur luajta vetë futboll, mërzitesha shumë nga situatat tipike, në të cilën gjendesha në fushë. Që atëherë pëlqeja drblimet, pasimet e dendura e të sakta, kombinimet. Frymëzohesha nga Barcelona e Cruijff. Kur luaja kundër Barçës së asaj kohe kuptoja një kundërshtar krejt ndryshe nga të tjerët, që bënte çfarë të donte me topin. Ne të tjerët vraponim 80 minuta pas topit, pa e prekur atë. Që aty kam kuptuar se mund të luash futboll edhe në një mënyrë tjetër. Asokohe, pyesja veten se si Barcelona luante në atë mënyrë, sepse askush nuk e kishte bërë dot. Fillova ta analizoj atë filozofi loje, edhe pse jo gjithçka ishte e qartë për mua. E studiova më me detaje kur vendosa të bëhesha trajner. Aty e kuptova se do të kisha dashur të luaja në një ekip, si Barcelona. E mbaja këtë sekret brenda meje”.

Dhe përveç Guardiolës?
“Sarri është ai që më pëlqen, si dhe Klopp. Deri diku edhe Loew. Nga këta mund të mësosh diçka”.

Si ju ndjekin lojtarët në këtë rrugë?
“Lojtarët të ndjekin, nëse shohin se jeni i bindur në atë që bën. Nëse keni ide të qarta është shumë e lehtë t’i transmetosh ato te skuadra; është çështje pasioni, besimi. Nëse keni dyshime, lojtari e vëren menjëherë”.

Si e bindni një portier, ose një mbrojtës qendror, që të nisë nga ai pasimi, luajtja e topit?
“Gjëja e parë që duhet t’i tregoni është se duhet të ketë vullnetin për të luajtur në një mënyrë të caktuar. Pastaj varet nga unë, që të krijoj situatën ideale rreth tij, në mënyrë që ai të ndihet i sigurt dhe që angazhimi me topin të mos jetë aq i komplikuar. E konsideroj si të mirëqenë faktin se gjatë një sezoni do të pësojmë 3-4 gola nga pasimet e gabuara në një zonë të rrezikshme. Por, përfitimi që unë nxjerr nga kjo lloj loje është jashtëzakonisht më i madh se paragjykimi që mund të më shkaktojë ky stil loje. Nuk është e lehtë ta hiqni lojtarin nga zona e tij e rehatisë, por nuk më pëlqen që ta godasin topin pa adresë, vetëm ta heqin qafe atë nga vetvetja… Pasi të mësohen me këtë stol loje, futbollistët e vlerësojnë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit