Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë ka nisur në mënyrën që askush nuk mund ta mendonte. Pas vetëm 23 sekondash lojë, Nedin Bajrami ka tundur rrjetën e Donnarumma. Një gol historik, më i shpejti në historinë e Kampionëteve Europiane. Stadiumi, si një “det kuqezi” ka shpërthyer në delir.
As në ëndrrat më të mira nuk mund ta mendonim këtë zhbllokim të rezultatit, por gëzimi për tanët nuk do të vazhdonte gjatë. Reagimi i axurrëve ishte i shpejtë dhe asfiksues, aq sa në minutën e 11-të ka gjetur barazimin, pas golit me kokë të Bastonit.
Goditje morale për kuqezinjteë tanë, të presuar në zonën e 16 metrave të portës sonë. Luajmë shumë të tërhequr, kjo edhe për meritë të kundërshtarit, që ia del të përmbysë gjithcka në minutën e 17-të, me golin e dytë.
Kësaj here ishte Barella, ai që tundi rrjetën e Strakoshës me goditje nga distanca, jo pa faj në pësimin e golit të parë, ashtu sikurse prapavija kuqezi ishte e rreshtuar gabim. Vazhdoi më tej dominimi në lojë i axurrëve, me qarkullim të dendur të topit, duke i vënë në vështirësi të madhe tanët.
Mundohen të dalin me kundërsulm kuqezinjtë, por gabojnë në pasime, nuk e gjenë dot njëri-tjetrin, iu mungon qartësia, me Brojën që nuk furnizohet me topa. Porta e Donnarumma mbetet e paarritshme për kombëtaren shqiptare, që vazhdon të vuajë shumë nga inkursionet e Chiesa dhe Frattesi.