Shiu bëhet protagonist në Brazil, merret vendimi i papritur për provat zyrtare në pistën në Interlagos

2 Nëntor 2024
20:57
Telesport
back button

Provat zyrtare të Çmimit të Madh të Brazilit në Formula 1 janë shtyrë për ditën e diel. Shiu i fortë që ka rënë përgjatë gjithë pasdites në Sao Paolo e ka bërë të pamundur zhvillimin normal të provave në pistën e Interlagos, që do të vendosin radhën e nisjes së pilotëve për garën e së dielës.

Provat zyrtare duhej të kishin nisur në orën 19:00 (ora shqiptare), por shiu që binte papushim e bënte të pamundur zhvillimin normal të tyre. Organizatorët i shtynë disa herë ato, deri në orën 21:00 (ora shqiptare) dhe më pas morën vendimin për t’i anulluar dhe shtyrë ato por ditën e diel.

Ai që konfirmoi shtyrjen e provave ishte presidenti i Formula 1, Stefano Domenicali, që tha: “Kushtet e pistës nuk garantojnë sigurinë e pilotëve. Gjithashtu, në qytet po mbërrin mbrëmja dhe drita nuk është e mjaftueshme për të zhvilluar provat zyrtare. Më vjen shumë keq për tifozët e shumtë”.

Ne do të provojmë që t’i zhvillojmë ato gjatë paradites së të dielës, duke shpresuar që kushtet atmosferike ta lejojnë atë”, tha Domenicali. Sipas rregullores, ato duhet të zhvillohen të paktën 4 orë para garës, e planifikuar të nisë në orën 18:00 me orën shqiptare.  

Në rast se provat zyrtare nuk zhvillohen, atëherë përcaktuese mund të jenë rezultatet e sesionit të parë dhe të vetëm të provave të lira, të zhvilluara ditën e premten në pistën e Interlagos. Më herët, të shtunën pasdite, u zhvillua gara sprint, në kushte normale, ku fitoi Lando Norris.

McLaren dominon garën sprint në Brazil, Norris i “rrëmben” edhe 2 pikë të tjera Verstappen

Lajme të tjera

Lajmet e fundit