Shkurte Fejza për rreth dy vite u bë një nga këngëtaret më të famshme në Shqipëri, pas një rikthimi me këngën e saj “Mora fjalë”, e kënduar nga tifozët kuqezi në ndeshjet e kombëtares shqiptare gjatë eliminatoreve të Kampionatit Europian.
Papritur, gjërat ndryshuan, kur kjo këngë nuk u dëgjua më në stadiumin “Air Albania”. Kjo gjë ka mërzitur shumë tifozë të kombëtares, sidomos ata nga Kosova.
Edhe vetë këngëtarja është zhgënjyer nga ky vendim i Federatës Shqiptare të Futbollit. E ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ajo u shpreh: “Jam ndier e nderuar që më kanë ftuar të këndoj në stadium dhe nga atmosfera e krijuar. Kënga i dedikohet një figure të shenjtë që ka Kosova. Më dhemb që nuk këndohet më”.
“Miqtë më kanë thënë se kjo këngë po ndalohet ngaqë konsiderohet politike. Jam shumë e mërzitur dhe është për të ardhur keq. Ne jemi frymëzuar nga Shqipëria dhe nuk e prisja një veprim të tillë”.