Armand Duka, presidenti i FSHF-së, dhe Sylvinho, kanë reaguar në mënyra të ndryshme pas shortit të sotëm të “play off”-it të Botërorit 2026, ku goglat e vendosën kombëtaren shqiptare përballë Polonisë në gjysmëfinale dhe, nëse kalon më tej, përballë fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, në finale. Duka u shpreh: “I buzëqeshur? Ndodhi kështu, në fakt çifti i parë nuk më pëlqente, Italia dhe Uellsi. Më vjen mirë që eliminuam ato të parët dhe ndaj qesha, kur i shmangëm.
Nuk kisha ndonjë preferencë, pasi të gjitha janë kombëtare të forta. I gëzuar dhe i buzëqeshur jam, pasi jemi këtu. Falenderojmë futbollistët dhe stafin që na mundësuan të luajnë në “play off”. Polonia është një kundërshtar i fortë, të gjithë janë të fortë, por ne do të provojmë mundësitë tona. Do të luajmë në Varshavë në mars.
Shorti i favorshëm? Ndeshjet e futbollit as nuk fitohen, as nuk humben në short. Ne ishim të mërzitur për shortin e kualifikueseve, por në fund dolëm të dytët. Shpresojmë që të kemi futbollistët gati dhe në formë të mirë. Të mos kenë dëmtime dhe t’i kemi të gjithë.

Sllovakia, a ishte dëshira jonë? Në fakt më dukej një kundërshtar më i përshtatshëm, me diferencat që janë më të vogla, ose hiç. Në një diskutim që bëmë rrugës, unë shpreha dëshirën për Sllovakinë, ndërsa të tjerët për Uellsin.
Kosova, a ka shanse? Kosova është një ekip i mirë, po kalon një moment të mirë. Shpresoj të jetë kështu edhe në mars. I ka të gjitha mundësitë për ta kaluar Sllovakinë dhe për të sfiduar më pas Turqinë ose Rumaninë. I ka të gjitha shanset për të fituar edhe finale, edhe për të qenë pjesë e Botërorit”.
Më pas foli trajneri ynë kuqezi, Sylvinho: “Sigurisht që jemi të gjithë shumë të kënaqur. E kemi merituar të jemi këtu. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur dhe tani është momenti ku luhet futboll. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka, ndaj duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë. Në këto 4-5 vite kemi luajtur shumë ndeshje kundër Polonisë. Ata na njohin mirë, po ashtu edhe ne i njohim ata. Do të jetë një përballje e bukur.
Humbja 1-0 ndaj polakëve në debutimin e tij si trajner i Shqipërisë? Ajo është një histori tjetër. Po flasim për vitin 2023. Futbolli ndryshon shpejt, ekipet ndryshojnë lojtarë, trajnerë, mënyrën e lojës. Edhe ekipi ynë ka ndryshuar shumë. Po, atëherë patëm një humbje të padëshiruar, por tani shkojmë të përgatitur për garën”.







