24 gola dhe 8 asist në 36 paraqitje në La Liga, sezoni i Artem Dovbyk ishte i paharrueshëm me Girona. Sulmuesi ukrainas, në vitin e tij të parë në Spanjë, e çoi klubin drejt një kualifikimi historik në Champions League, si protagonist absolut dhe përfundoi i pari në tabelën e golashënuesve.
Pavarësisht një kontrate që e lidh atë me klubin spanjoll deri më 30 qershor 2028, gjithçka mund të ndryshojë. Destinacion i mundshëm për Dovbyk pritet të jetë Italia. 26-vjeçari deklaroi gjatë një interviste në kombëtaren e Ukrainës se agjenti i tij ka kontaktuar me disa skuadra në Serie A.
“Agjenti im po flet me disa klube italiane. Çdo gjë e përballoj me shumë qetësi”, ka rrëfyer sulmuesi i Girona. Mbi të është edhe Atletico Madrid, i i gatshëm të paguajë 25 milionë për të siguruar ish-sulmuesin e Dnipro. Klubi katalanas nuk është i kënaqur dhe kërkon më shumë, duke shpresuar të arkëtojë deri në 35 milionë euro nga shitja e tij.
Në garë janë edhe Napoli e Milan. Skuadra e trajnerit Antonio Conte do të shesë Osimhen dhe po kërkon një zëvendësues të nigerianit. Kuqezinjtë, nga ana tjetër, mund t’i drejtohen qendërsulmuesit 26-vjeçar nëse dështon afrmimi i Zirkzee.
“Ka lajme për mua, por unë reagoj me qetësi ndaj asaj që dëgjohet përreth. Unë qëndroj larg thashethemeve të merkatos. Kam shpenzuar shumë energji këtë sezon, sepse kam luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet për Girona”, tha ukrainasi Dovbyk, që nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij.