Nisje e vrullshme e kuqezinjve tanë. Presing në gjysmëfushën kroate, për disa minuta nga fillimi i ndeshjes, pastaj njëfarë tërheqjeje e vogël, e cila solli kundërsulmin e rrjedhshëm nga krahu i djathtë.
Asani kroson me përpikëri për Laçin, i cili me kokë e devijon topin në rrjetën e kundërshtarit. Start më të mirë nuk mund të kishte për kuqezinjtë tanë, që po bëjnë paraqitje të shkëlqyer. Rezultati zhbllokohet pas 12 minutash lojë.
Pas avantazhit të kuqezinjve, kroatët mundohen të reagojnë. Ndërmarrin aksione të shpeshta, me shumë qarkullim topi, por ndeshin në prapavijën kuqezi, mjaft e vendosur. Ndryshe nag ndeshja me Italinë, kuqezinjtë tanë luajnë më grintë, kanë vënë zemrën në fushë, duke dhënë gjithçka.
Bajrami nga e djathta është shumë problematik për kundërshtarin, me inkursionet e herë pas hershme. Tashmë në avantazh, kombëtarja jonë aplikon kundërsulmin e shpejtë, duke parë se kroatët janë të orientuar me forca të shumta drejt portës së Strakoshës.
Në minutën e 29-të, Hysaj lëshon një predhë në ecje e sipër, nga vija ballore e zonës së 16-metrave, duke tronditur sërish kroatët. Gjithsesi, topi kalon pak mbi traun e portës kundërshtare. E pabesueshme çfarë ka humbur Asllani në minutën e 30-të.
Modric dorëzon topin në mesfushë, kuqezinjtë tanë dalin shpejt, me topin që shkon tek mesfushori shqiptar i Interit. Ky i fundit godet fort, i vetëm me portierin kroat, por pret Livakovic. Rast i artë për të dyfishuar shifrat.
Skuadra e Dalic nuk ka qartësi në fazën finale të aksioneve, duket qartë se është future në një presion psikologjik nga disavantazhi, por ndesh dhe gatishmërinë gati heroike të kuqezinjve tanë për të luftuar në çdo top e centimetër të fushës.
Kryesori akordon disda faulla për kombëtaren tonë, e cila luan disi edhe me nervat e tendosura të kundërshtarit. Një lojë perfekte në çdo aspekt, edhe psikologjik, e tanëve në pjesën e parë, duke e mbyllur me fitoren 1-0, me një rast shumë të favorshëm të Manajt, i cili nuk godet fort me kokë, pak metra përballë Livakovic.
Skuadrat po luajnë me këto formacione:
KROACIA (4-3-3): Livakovic; Juranovic, Sutalo, Gvardiol, Perisic; Modric, Brozovic, Kovacic; Majer, Petkovic, Kramaric.
SHQIPERIA (4-2-3-1): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Djimsiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laci; Asani, Manaj, Bajrami.