Shqipëria humbet gjysmëfinalen me Maltën, nesër sfidë për një vend në podiumin e Europianin e vendeve të vogla

29 Qershor 2024
19:42
Telesport
back button

Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll për femra u mund mbrëmjen e sotme 75-62 nga Malta. Sfida ishte e vlefshme për gjysmëfinalet e Europianit të vendeve të vogla, turne që prej disa ditësh po zhvillohet në Prishtinë (Kosovë).

Një humbje që lë pasoja te vajzat kuqezi, të drejtuara nga trajneri Klaudio Ndoja, pasi eliminohen nga gara për medaljen e artë në këtë turne. Pas dy fitoreve të para në Grupin B (ndaj Andorës dhe Armenisë), kombëtarja shqiptare pësoi dy humbje radhazi.

Fillimisht Shqipëria u mund nga Norvegjia, po në ndeshjen e grupit dhe më pas sot nga Malta. Sfida e sotme u komandua nga rivalet tona, që u shkëputën 28-13 që në periodën e parë, avantazh që I dha mundësi të luajë me qetësi deri në fund.

Shqipëria është gjithnjë në ndjekje, por pa mundur të rikuperojë (41-28 pjesa e parë). Diferenca thellohet edhe më shumë në periodën e tretë (66-45), duke e kthyer 10-minutëshin e fundit në një formalitet për maltezet.

Kështu, krejt takimi mbyllet 75-62 për Maltën, që shkon në finale, ku do të luajë me fituesen që do të dalë nga gjysmëfinalja tjetër mes Norvegjisë e Qipros. Për Shqipërinë sot u dallua Enisa Qosja me 12 pikë.

Shqipëria do të synojë të fitojë të paktën medaljen e bronzit, teksa nesër në mbrëmje do të luajë më humbësen që e takimit tjetër gjysmëfinalist.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit