“Shqiponjën” ia ngatërrojnë me festimin e Anelka. Krenaria e Brojës: Tifozët shqiptarë janë më të mirët në botë

30 Maj 2024
11:29
Alfred Lleshi
back button

Sulmuesi i Chelsea, Armando Broja, bëri një fotosesion përpara “Euro 2024”, ndërsa sulmuesi përgatitet për kompeticionin e tij të parë të madh me Shqipërinë. Faqja në Instagram “Rising Ballers” shpërndau foto të sulmuesit të Chelsea me fanellën kuqezi, ku ai shpjegoi edhe festën e tij me “shqiponjë”.

Broja, i cili u huazua te Fulham në janar me shpresën për më shumë minuta aktivizim, nuk pati shanse të mjaftueshme dhe përfundimisht u kthye te Chelsea pas përfundimit të sezonit. Blutë e Londrës janë të hapur për ta shitur Brojën në verë dhe çmimi i duhur do ta bënte sulmuesin të largohej nga klubi ku nisi gjithçka në futboll.

Sulmuesi shqiptar ka pasur një ndërveprim me mediat para Europianit të Gjermanisë dhe në njërën prej këtyre pyetjeve është pyetur se pse festa e 22-vjeçarit i ngjan asaj të ish-sulmuesit të bluve, Nicolas Anelka. Broja sqaroi dhe pohoi se bën festën e tij “shqiponja shqiptare”, të cilën shumë njerëz e ngatërrojnë me festën e Anelka.

Duke folur për “Rising Ballers”, sulmuesi shqiptar u sigurua që njerëzit të mos e ngatërronin më festën e tij me të ish-sulmuesit francez: ‘’Kur shënoj, bëj festën e shqiponjës shqiptare. Shumë njerëz mendojnë se po bëj festën e Anelka, por nuk është ajo, nuk ka fare lidhje. E dua vendin tim aq shumë, sa e bëj atë lloj festimi. Është diçka unike për ne shqiptarët, një festim vërtet i bukur”.

Futbollistët herë pas here imitojnë festimet e njëri-tjetrit dhe kjo është një dukuri e zakonshme. Broja kur shënon gol feston me “shqiponjën” e vet. Mund të duket sikur po imiton festën e Anelka, por kjo nuk ka lidhje.

Futbolli ka të bëjë vetëm me argëtimin dhe për sa kohë që jeni duke performuar, mund të festoni si të doni. Broja, i cili ka duruar një sezon zhgënjyes me Chelsea dhe Fulham, do të shpresojë ta ndryshojë fatin e tij kur të përfaqësojë Shqipërinë në “Euro 2024”.

Ai është një sulmues shpërthyes dhe do të ketë mundësi për ta demonstruar këtë në një nga skenat më të mëdha, si Kampionati Europian i kësaj vere në Gjermani, duke pasur në grup rivalë gjigantë si Spanja, Italia dhe Kroacia.

22-vjeçari duket më i lidhur se kurrë me vendin e tij, me rrënjët e tij, Shqipërinë, edhe pse ka lindur, është rritur dhe jeton me gjithë familjen në Angli. Në intervistën për revistën angleze, “Risingballers”, sulmuesi ynë kuqezi tha se me ndihmën e tifozëve, kombëtarja shqiptare është më e fortë:

“Tifozët e Shqipërisë janë më të mirët në botë. Ne jemi si një trup i vetëm. Lojtarët, tifozët dhe vendi ynë, kombëtarja na bën të gjithëve së bashku. Marrja pjesë në finalet e Europianit? Do të jetë një emocion i madh për mua.

Dua të falënderoj edhe familjen, pasi më ka mbështetur gjithmonë. Të gjithë e dimë se jemi në një grup të fortë, mbase më i vështiri në Europian, por do të shkojmë optimistë në Gjermani dhe mund të bëjmë diçka të veçantë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit